Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vizituar stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në kryeqytet, nga ku u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë në numër sa më të madh të hënën, kur do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës mes Dritës dhe Prishtinës.
Ai u shpreh se tifozët duhet të mbushin ulëset e stadiumit edhe për ta nderuar ish-kryetarin e Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, emrin e të cilit tashmë e mban ky stadium, raporton Ekonomia Online.
“Të hënën do të jetë testi kryesor për federatën, për neve të dëshmojmë se mund të zhvillojmë lojë të karakterit ndërkombëtar. Kjo do të trajtohet gati si lojë ndërkombëtare, pasi që në shtator na presin lojët e para të përfaqësueses së Kosovës në Prishtinë, me Maltën më 10 shtator”.
“Të hënën presim një spektakël, u bëj ftesë tifozëve që të vijnë në numër sa më të madh, ta mbushin këtë stadium qysh i ka hije, jo vetëm për shkak të lojës dhe stadiumit, por edhe t’ia japim një nderim Fadil Vokrrit pasi që është hera e parë që luhet një lojë në stadiumin që tashmë e mban emrin e tij”.
Ahmeti ka shtuar se nga interesimi që po shohin është optimist se ky stadium do të jetë i mbushur plot të hënën, raporton EO.
Ndërsa kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se ka interesim të madh për të ndjekur këtë ndeshje, por ka thënë se shpreson që tifozët të jenë sa më të zëshëm në kuptimin e së mirës dhe sa më të urtë në kuptimin e qëndrimit të tyre.
“Gjithsesi do ta kenë parasysh të gjithë që është testi i fundit dhe ende nuk e kemi licencuar stadiumin. Kjo varet pikërisht edhe nga ta, sepse kjo është sikur të jetë ndeshje ndërkombëtare e rregullt”.
Ademi ka paralajmëruar se ndaj tifozëve që tregohen të padisiplinuar dhe nuk respektojnë rregullat e përcaktuara nga FFK-ja, do të pësojnë dënime.
“Do të pasojnë edhe dënimet pikërisht nga ky komision nëse ka të tilla. Po shpresoj që e kemi publikun aq të vetëdijshëm dhe aq të pjekur që ky stadium do të jetë arenë e një festimi të hapjes së tij, të hapjes së sezonit dhe nderimit të Fadil Vokrrit”.
Ademi ka falënderuar Ahmetin për iniciativën që stadiumi ta mbajë emrin e ikonës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, dhe Kuvendin Komunal për marrjen e këtij vendimi.
Të hënën në “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës mes Dritës dhe Prishtinës, e cila do të shërbejë edhe për testimin stadiumit.