Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, për ndër të festës së 8 marsit -Ditës së Gruas ka takuar shoqatën “Thirrjet e Nënave”, raporton Ekonomia Online.
Hoxha tha se kjo vizitë është për t’i nderuar nënat që ende po presin të dinë për fatin e familjarëve të tyre të zhdukur. Ajo tha se Kosova nuk do të jetë e qetë deri sa kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë dhe të dihet fati i të zhdukurve.
“Desha sot me ardh me ju taku juve, e di që duhet bërë më shumë ne gjithë për juve, për fatin e të zhdukurve, për 1634 persona. Për ne është me rëndësi me u zbardh fati i tyre dhe për shtetin. Si qytetar të Kosovës nuk do të jemi të qetë asnjëri nëse nuk e kuptojmë dhe nëse kryesit e këtyre veprave nuk dalin para drejtësisë. Festa si kjo, ditë si kjo dhe pesha e përgjegjësia rri mbi ne gratë për me i adresu çështjet që janë të rëndësishme si ju nënat, motrat që jeni fuqia e shtetit tonë”, tha Hoxha.
Ajo tha se në çdo takim që shkon në vendet e Bashkimit Evropian asnjëherë nuk i harron nënat kosovare duke ua përmendur të gjithëve që familjarët ende i presin të zhdukurit.
“Në çdo takim, në çdo kryeqytet në Evropë që me bie me u taku me homologët e mi e ngris zërin për ju, që ka nëna që nuk e din fatin e të dashurve të tyre, është me rëndësi për mua që ta ngris ketë teme dhe zërin në emër tuaj”, shtoi Hoxha.
Kryetarja e kësaj shoqate, Nysrete Kumnova, tha se familjarët e tyre nuk e meritojnë të jenë në varrezat e Serbisë dhe të mos dihet fati për ta. Ajo tha se shumë pak është bërë në këtë drejtim dhe për këtë arsye këto nuk kanë festa të tilla si 8 marsi.
“U bën 20 vjet që ne nuk dimë për 1400 qytetarë. Ju keni qenë ministre e Drejtësisë u punu pak e di që nuk është në duart tuaja sepse është në duar të Serbisë, por për fat të dashurve tanë e familjeve të tyre as ndërkombëtarët e as vendoret nuk kanë bërë presionin e duhur që të zbardhet fati i të dashurve tanë. Nuk e meritojnë të jenë në varrezat e Serbisë pasi që 20 vjet ne nuk kemi 8 mars, nuk kemi festa, por deshëm të ju presim dhe këto lule që na dhuruat do i lëmë këtu për të dashurit tanë”, tha Kumnova.
“…Ne e kemi bërë edhe librin “E vërteta për krime Serbe” që ne do ua dhurojmë juve dhe shpresojmë që do ta ngrisni zërin. Ne nuk kemi festë, por deshëm të ju nderojmë që patët dëshirë ta vizitoni shoqatën tonë, shpresojmë se do ta vazhdojmë komunikimin së bashku”, shtoi Kumnova.
Njëra ndër nënat e pranishme, Fllanza Bunjaku të cilës në kohën e luftës së fundit, serbët ia kishin marrë burrin dhe djalin e saj, iu drejtua Hoxhës dhe tha se ende nuk e di se pse dialogu me Serbinë vazhdon kur fati i të zhdukurve nuk dihet. Ajo tha se prioritet duhet të mbeten viktimat e luftës dhe të zhdukurit.
Ajo tha se nuk mund të dialogohet përderisa ende Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet gjatë luftës dhe se qeveria e Kosovës nuk ka krijuar një fond të posaçëm për t’i denoncuar kryesit e veprave pasi që sipas saj edhe civilët kanë kryer vepra kriminale dhe jo vetëm forcat e armatosura.