Autoritetet kufitare të disa vendeve njoftojnë se, një sërë emigrantësh nga Azia dhe Afrika kanë përfituar nga Kupa e Botës në Rusi për të tentuar prej andej kalimin në BE.
Mediet gjermane raportojnë se, duke ndjekur këtë linjë, disa persona kanë arritur të hyjnë në Finlandë. Skemën e kalimit të paligjshëm duket e mundësuan pikërisht rregullat e reja të vizave për këtë kampionat botëror.
Falë tyre, të paktën 5 vetë kanë arritur të kalojnë në Finlandë nga Rusia, të pajisur vetëm me të ashtuquajturat “Fan ID”, ose pasaporta e tifozëve, e cila i jepet shtetasve jorusë kur blejnë bileta për ndeshjet e Botërorit.
Personat në fjalë, 3 marokenë, një nigerian dhe një kinez, kanë aplikuar tashmë për azil. Ata shpjegojnë se marokenëve u është dashur ta kalojnë kufirin nga toka, ndërsa shtetasi kinez ka fluturuar qetësisht drejt Helsinkit me avion.
“Fan ID” u krijon njerëzve mundësinë të ndjekin Kupën e Botës duke hyrë në Rusi pa vizë, ku mund të qëndrojnë maksimumi deri në 10 ditë pas përfundimit të kompeticionit, më 15 korrik.
Sipas revistës “Der Spiegel”, forcat policore ruse kanë arritur të parandalojnë disa kalime të tjera të paligjshme kufiri, duke prangosur së fundi edhe 4 marokenë që kishin dashur të hynin në Norvegji. Ata u dëbuan nga vendi, pasi paguan një gjobë prej vetëm 27 eurosh. Katër marokenë të tjerë u arrestuan nga ana tjetër teksa tentonin hyrjen në Poloni.