Tifozët hynë falas në stadium për finalen e Ligës së Evropës, UEFA nis hetimet

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Azerbajxhanit i hapi dyert e stadiumit, duke i lënë tifozët të hynë brenda falas, në tentim për ta mbushur stadiumin Olimpik në Baku, ku po zhvillohej finalja e Ligës së Evropës.

UEFA ka nisur hetimet për ta zbuluar arsyen pse tifozët dhe banorët në Baku u lejuan të hyjnë falas në stadiumin e finales së Ligës së Evropës, pas përfundimit të pjesës së parë.

Chelsea e mposhti Arsenalin me rezultat 4:1 në stadiumin ku u tha se ishin 52,370 të pranishëm, edhe pse në dispozicion ishin më shumë 62 mijë ulëse. Kjo ishte shtatë mijë më pak sesa 58 mijë tifozët që e shikuan ndeshjen në fazën e grupit, mes Qarabagut dhe Arsenalit.

Tifozët e Chelseat dhe Arsenalit filluan t’i vërejnë numrin e shumtë të ulëseve të zbrazura menjëherë sapo filloi ndeshja. Federata e Futbollit e Azerbajxhanit vendosi ta mbushte stadiumin duke i lënë të gjithë të hynë falas dhe UEFA nuk është e kënaqur me këtë vendim.

UEFA ishte kritikuar për zgjedhjen e vendit nikoqir për finalen e Ligës së Evropës, pasi që ajo ishte mbi 10 mijë kilometra larg Londrës, nga ku vijnë dy klubet finaliste. Kostot e larta dhe numri i vogël i biletave që UEFA vendosi t’i shpërndajë bëri që shumë tifozë ta bojkotojnë finalen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme