Tifozët kosovarë të volejbollit kanë pasur rast të mirë për të parë nga afër një skuadër të nivelit të lartë evropian. Por në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj javën e kaluar prezent ishin vetëm afro 250 shikues.
Luboteni i Ferizajt u mposht 3:0 në sete nga skuadra holandeze Abiant Groningen në kuadër të rrethit të dytë të Ligës së Kampionëve në volejboll. Për këtë arsye ndeshja e kthimit e luajtur të enjten mbrëma në Groningen të Holandës më shumë ishte formalitet, shkruan sot Koha Ditore.
Kualifikimi i Abiantit, që i takon nivelit të lartë evropian, nuk vihej në dyshim. Skuadra holandeze fitoi prapë me 3:0 në sete. Por palestra “Martin Plaza” ishte e stërmbushur me shikues.
Mbi 2.800 tifozë i dhanë përkrahje të madhe skuadrës holandeze. Ata ishin në palestër, megjithëse skuadra e tyre e kishte të sigurt fitoren e kualifikimin dhe po përballej me një skuadër të nivelit dukshëm më të ulët.