Spektatorët do të lejohen të kthehen në disa ngjarje sportive në Angli që nga java e ardhshme, pasi masat e parandalimit të koronavirusit kanë filluar të testohen përpara një rihapjeje më të planifikuar të stadiumeve në muajin tetor. Kriketi vendor ku ndeshjet do të zhvillohen javën tjetër (26-27 korrik) është vendosur të jetë sporti i parë në të cilin tifozët do të lejohen të jenë të pranishëm që nga muaji mars i këtij viti. Disa spektatorë do të lejohen gjithashtu në Kampionatin Botëror të snookerit, që mbahet në Sheffield prej 31 korrikut, kurse festivali i garave me kuaj “Glorious Goodwood”, që mbahet më 1 gusht, është gjithashtu pjesë e një skeme qeveritare që piloton kthimin e tifozëve. Ndërkohë, nëpër stadiumet e futbollit, shikuesit pritet të kthehen pak muaj më vonë.
“Prej muajit tetor ne synojmë të rikthejmë audiencën nëpër stadiume…në një mënyrë të sigurt për t’u mbrojtur nga COVID-19, duke u mbështetur në rezultatet e suksesshme të kthimit të shikuesve nëpër ngjarjet e tjera sportive nga java e ardhshme”, ka thënë kryeministri britanik Boris Johnson.
Kapacitetet e stadiumeve do të jenë akoma të kufizuara dhe gjatë kohës së hyrjes do të kërkohen masa për distancimin social dhe sistemet njëdrejtimëshe. Barrierat ose ekranet do të duhet të instalohen aty ku distanca sociale nuk mund të mbahet derisa blihet ushqimi apo vendoset ndonjë bast. Gjithashtu, shikuesve do t’u kërkohet që mos të marrim pjesë në këto ngjarje që do të jenë të hapura për ta nga java e ardhshme, nëse eventualisht në njëfarë mënyre kanë qenë të ekspozuar ndaj pandemisë COVID-19. Duke njoftuar një lehtësim të mëtejshëm të kufizimeve të bllokimit, Johnson tha se masat mund të kthehen nëse normat e infeksionit të koronavirusit fillojnë të ngjiten përsëri me shqetësimet në lidhje me një valë të re të koronavirusit këtë dimër. Numri zyrtar i vdekjeve nga pandemia në Britani deri të premten ishte më shumë se 45 mijë, ndërsa për disa javë ka qenë më i larti në Evropë dhe i treti në botë – pas SHBA-së dhe Brazilit. Ministri britanik i sportit, Nigel Huddleston, paralajmëroi se do të duhet “ca kohë” para se stadiumet të mund të jenë përsëri të plota. Premier League do ta përfundojë sezonin pa tifozë në ndeshje dhe nuk do të ketë spektatorë as në stadiumin “Wembley” me kapacitet prej 90 mijë ulëseve për gjysmëfinalen e kësaj fundjave në FA Cup.
“Për muaj të tërë, miliona prej nesh kanë ndier boshllëkun e pamundësisë për të shkuar në ndeshje për të mbështetur ekipin e zemrës, ose për të marrë pjesë në një ngjarje sportive të nivelit elitar. Kështu që unë jam i kënaqur që tani jemi në gjendje të ecim përpara me një plan për të ndihmuar sportet që në mënyrë të sigurt t’i rihapin dyert për tifozët”, ka thënë Huddleston. “Unë e pranoj që jo çdo sport, skuadër apo klub ka përfitimin e të ardhurave të mëdha tregtare, dhe shpesh janë tifozët e tyre të përkushtuar ata që i ndihmojnë. Duke punuar ngushtë me ekspertë sportivë dhe mjekësorë, ne gradualisht do të ndihmojmë edhe kthimin e sigurt të tifozëve nëpër stadiumet e futbollit pas disa muajsh”.
Shefi ekzekutiv i Unionit të Ragbit britanik, Bill Sweeney, tha në maj se 85 për qind e të ardhurave të organit drejtues vijnë nga organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare për meshkuj në Twickenham. Për t’i shmangur humbjet deri në 100 milionë, turneu i ragbit “Six Nations” pritet të mbahet përgjatë muajve tetor dhe nëntor. Ndërkohë, Federata e Futbollit e Anglisë muajin e kaluar tha se po shkurton 82 vende pune për të mbuluar një deficit të parashikuar prej 300 milion funtesh për shkak të pandemisë që kufizon turmat në ndeshje dhe në shumë ngjarje të tjera që tashmë janë anuluar.