TIK bosht i zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik

Prishtinë | 30 Gus 2016 | 15:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asnjë sektor i ekonomisë nuk mund të paramendohet i shkëputur nga zhvillimi i TIK, ngase ky sektor po bëhet bosht i vizioneve të zhvillimit të kompanive, jo vetëm të këtij sektori po edhe fushave si energjia, bujqësia, tregtia, shëndetësia etj., ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente, Stavileci i bëri sot gjatë një konference të përbashkët për media me drejtues të kompanisë Gjirafa Inc, me ç’rast u prezantua projekti i kësaj kompanie GjirafaPikBiz që synon digjitalizimin e tërë Kosovës, me theks të veçantë bizneseve.

Kreu i MZHE-së e vlerësoi lartë këtë projekt, që vjen si iniciativë e sektorit privat për t’i dhënë mundësi të reja të zhvillimit të bizneseve, por njëkohësisht ndihmon zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik, një projekt futuristik, që shihet pothuaj në gjithë vendet e Evropës, ndërsa ka munguar në Kosovë.

Stavileci tha se MZHE është munduar që krahas projekteve të cilat do të kenë një impakt të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik të vendit, t’i jap një hapësire të veçantë dhe meritore edhe fushës së TIK-ut.

“Ne kemi adaptuar strategjinë dhe jemi në përgatitje të programeve të reja, të cilat do të jenë përkrah bizneseve të IT-së në mënyre që ato të zhvillojnë dhe t’i kontribuojnë zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik dhe të hapin vende të reja të punës”, tha ai, duke përgëzuar kompaninë Gjirafa për këtë projekt.

Mërgim Cahani nga Gjirafa Inc, tha se ndihet me fat se kompania e tyre po e zhvillon digjitalizimin e Kosovës për të gjitha llojet e bizneseve, si ato të vogla ashtu edhe ato të mëdha.

“Shërbimet që po ofrojmë ne për Kosovë por edhe për Shqipëri dhe Maqedoni janë shërbime, të cilat konkurrojmë direkt me gjigantët botërorë që janë të vlerësuar me multi-miliarda. Ky produkt si pamja 360 shkallë është ekuivalent me atë që ofron Google me qytete të ndryshme botërore”, tha ai.

Cahani bëri të ditur se mosha mesatare e programerëve dhe inxhinierëve që po zhvillojnë këtë platformë është 22 vjeç dhe kjo tregon se ne mund të jemi konkurrent me tregun global.

Kryesues i Departamentit të Biznesit në “Gjirafa Inc” Debatik Hoxha, tha se kompania ka për qëllim të zhvillojë të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë, duke i ekspozuar ato në treg masiv, ndërsa përmes këtij aplikacioni konsumatorët mund të gjejnë të dhëna më lehtë për bizneset dhe shërbimet e tyre.

Produkti “GjirafaPikBiz”, përmban të gjitha të dhënat, shërbimet dhe lokacionet e bizneseve duke i treguar ato në hartë me pamje 360 shkallë.

Të ngjashme