Një 20 vjeçare nga Indonezia është arrestuar nga Policia e Tiranës, e akuzuar për veprën penale “Vrasja e foshnjës”. Vajza indoneziane lindi fëmijën e saj 2 muaj më parë dhe e braktisi, duke e lënë në ballkon.
Siç raporton “Shqiptarja”, ajo kishte shkuar në Shqipëri disa muaj më parë, bashkë me shoqet e tjera, me të cilat jetonin në një ambient të marrë me qira. Ato punonin pastruese nëpër lokale në kryeqytet.
“Në kohën që ka ardhur nga Indonezia ka qenë 5 muajshe shtatzënë, dhe në muajin tetor e kanë kapur kriza të stresit dhe pas lindjes, e ka braktisur fëmijën në banesë”.
“Vajzat e tjera kanë njoftuar pronarin e shtëpisë dhe më pas policinë. Pasi është marrë foshnja, është dërguar në spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë më pas”, ka raportuar ky medium.
Fillimisht, për shkak të gjendjes së fëmijës, për nënën që e braktisi nisi vetëm hetim në gjendje të lirë, ndërsa tashmë e njëjta është ndaluar me urdhër të Gjykatës.