Tolaj: Ligji për personat me aftësi të kufizuara nuk zbatohet nga institucionet publike e private

Prishtinë | 03 Dhj 2020 | 12:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj tha se në Kosovë jetojnë mbi 200.000 persona me nevoja të veçanta, pra 10 % e popullatës së përgjithshme në vend.

“Personat me nevoja të veçanta nuk kanë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi, shërbime sociale dhe mbështetje juridike”, tha Tolaj.

Ai më tej, ka folur për të drejtat  e personave me aftësi të kufizuara.

“Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal”.

“Në Kosovë ekziston ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por ky ligj nuk po zbatohet as nga institucionet private e as nga ato publike, edhe pse i obligon që të punësojnë një person me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar”, shtoi ai.

Ai tha se  duhet të veprohet sipas Konventës  së Kombeve të Bashkuara.

“Pra, duhet te veprojmë sipas Konventës se Kombeve të Bashkuara për te drejtat e personave me aftësi te kufizuara, Kushtetutës se Republikës se Kosovës, dhe dokumenteve tjera kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Tolaj tha se Propozim Rezoluta e iniciuar nga deputeti Fetah Rudi duhet të has në mirëkuptim dhe mbështetje të plotë nga ligjvënësit e Kuvendit te Kosovës pa përjashtim.

Fjalimi i plotë:

Në Kosovë jetojnë mbi 200.000 persona me nevoja të veçanta, pra 10 % e popullatës së përgjithshme në vend, llogaritet të jetë me nevoja të veçanta, gjegjësisht me aftësi të kufizuara.

Personat me nevoja të veçanta nuk kanë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi, shërbime sociale dhe mbështetje juridike.

Te personat me nevoja të veçanta përfshihen të gjithë ata që kanë kufizime fizike si: paaftësi për të ecur- invalidët, paaftësi për të dëgjuar dhe folur – shurdh-memecë , personat e verbër, personat me sindromin Doën, personat autik etj.

Personat e tillë kufizimet i kanë të lindura ose të shkaktuara gjatë aksidenteve apo sëmundjeve të ndryshme. Pra, paaftësitë (kufizimet) mund të jenë të natyrës fizike, senzitive dhe mentale.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar

Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. Këtu përfshihen:

1. E drejta për shkollim

2. E drejta për qasje të lirë në institucione shkollore

3. E drejta për punësim

4. E drejta për shërbime shëndetësore

5. E drejta për mirëqenie sociale.

Punësimi

Në Kosovë ekziston ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara , por ky ligj nuk po zbatohet as nga institucionet private e as nga ato publike, edhe pse i obligon që të punësojnë një person me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar.

Deri më sot asnjë institucion qoftë publik apo privat nuk është paralizuar ose dënuar për moszbatimin e ligjit, ndonëse nuk i përmbushin as për së afërmi kriteret e kërkuara me ligj.

Nuk ka as statistika se sa persona me aftësi të kufizuara punojnë në sektorin publik dhe as në atë privat.

Arsimi

Fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë janë të përfshirë në institucione shkollore dhe shkolla speciale (qendra burimore ne Pejë).

Rastet e diskriminimit në shkollë dhe në rrugë të personave të kësaj kategorie janë më të shpeshta. Përkundër kësaj, sfidë e veçantë mbetet qasja e tyre në shkollim sepse nuk kanë asistentë ndihmës nëpër klasa. Sa i përket të drejtës në shkollim, Ministria e Arsimit ka bërë hapa pozitivë, por ende ka mungesë të personelit profesional për të punuar me këtë kategori.

Shëndeti

Shërbimet shëndetësore për personat me nevoja të veçanta në Kosovë nuk janë në nivelin e duhur.

Shumë trajtime që do duhej t’i merrnin personat me nevoja të veçanta, sidomos ata që janë të varur nga karrocat, nuk mund t’u ofrohen atyre brenda institucioneve publike shëndetësore.

Handikos

Është e vetmja organizatë në Kosovë e cila merret me pajisjen me mjete ortopedike, sanitare dhe higjenike për personat me nevoja të veçanta. Është organizatë jo qeveritare që punon dhe vepron qe nga viti 1983 ,dhe merret me rehabilitimin e personave me nevoja të veçanta, edukimin dhe aftësimin profesional, punësimin e tyre .

Ligji obligon Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të mbajë statistika për personat e punësuar që kanë nevoja të veçanta, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë ndihen të përjashtuar nga e drejta për punësim, e drejta për arsim dhe jetë të pavarur – ata nuk janë të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë.

Për përmirësimin dhe tejkalimin e gjendjes aktuale duhet përcaktuar strategji nacionale për të drejtat e PAK (personave me aftësi te kufizuar) me objektiva strategjike të cilat përfshijnë:

1. Përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për Personat me Aftësi të Kufizuar,

2. Sistem funksional dhe i mirëfillte për mirëqenien dhe sigurinë sociale si dhe ofrimi i mundësive te barabarta për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara ,

3. Krijimi i kushteve për gjithë përfshirjen në arsim dhe për mbështetjen profesionale të personave me aftësi të kufizuara,

4. Qasje e barabarte në mbrojtje ligjore për përmbushjen e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara,

5. Krijimi i kushteve të barabarta në qasje, si dhe në krijimin e një sistemi të unifikuar të të dhënave për Personat me Aftësi të Kufizuara.

E them këtë , duke qene koshient se problematika e aftësisë se kufizuar nuk është individuale, por problem me natyre komplekse politike, sociale, dhe financiare, pra flasim për  situate sfiduese jo vetëm për ata si kategori, por për familjen, institucionet dhe vet shoqërinë.

Pra, duhet te veprojmë sipas Konventës se kombeve te bashkuara për te drejtat e personave me aftësi te kufizuara, Kushtetutës se Republikës se Kosovës, dhe dokumenteve tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndaj konsideroj se Propozim Rezoluta e iniciuar nga deputeti Fetah Rudi duhet të has në mirëkuptim dhe mbështetje të plotë nga ligjvënësit e Kuvendit te Kosovës pa përjashtim.

Ju ftoj qe ta përkrahni, ngase si institucione, dhe si shoqëri, obligohemi ta përkrahim këtë kategori te veçantë, në mënyrë qe të kenë një jetë më të dinjitetshme, ashtu siç e meritojnë.

Ju faleminderit

Të ngjashme