Ish Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair ka takuar ditë më parë privatisht Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Kështu është përgjigjur për BIRN, instituti Tony Blair për Ndryshim Global ku dhe është mohuar përfshirja e ish kryeministrit britanik në ndonjë projekt për Kosovën.
“z.Blair e njeh Presidentin Thaçi për kohë të gjatë dhe e ka takuar atë privatisht” thuhet në përgjigjen e Institutit Tony Blair.
“Siç e kemi thënë edhe në të shkuarën, Blair është i interesuar për rajonin dhe njeh njerëz kyç atje dhe dëshira e vetme e tij është që të shohë një zgjidhje me të cilën do të pajtoheshin të gjithë dhe e cila do t’i sillte stabilitet rajonit”.
Është raportuar se Instituti Tony Blair ka kërkuar që ta punësojë një këshilltar për të këshilluar zyrtarët serbë sa i përket qeverisjes.
“Instituti ka një projekt që po vazhdon në Serbi, që ndihmon në ofrimin e shërbimeve publike. Kjo është pjesë e punës së gjerë jofitimprurëse të institutit që përkrahë qeveritë gjithandej nëpër botë dhe sigurohet pa asnjë kosto për Qeverinë e Serbisë”, thuhet në përgjigje.
Edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se projekti nuk është i financuar nga Qeveria e Serbisë.
Instituti nuk është përgjigjur në pyetjen e BIRN se cila është mënyra e financimit të projektit, por që kanë konfirmuar që Blair ka zhvilluar takime me zyrtarët serbë.
“Si pjesë e punës së sonë në Serbi, z.Blair është takuar me zyrtarët edhe të kësaj administrate edhe asaj së kaluarës”.