Totaj e denoncoi për kërcënim, Berisha: Disa sms ma prishën koncentrimin

Prishtinë | 26 Qer 2022 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, dje është denoncuar për “Kanosje” nga kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Pas publikimit të lajmit, Berisha ka reaguar me një postim në Facebook, duke thënë se disa ‘sms’ ia kanë prishur koncentrimin në një film shumë interesant.

“Pasi disa sms që më prishën koncentrimin në një filmi shumë intetesat, desha ti pyes konspiracionistët dhe ata që “marrin vesh” në “ lajme për lice”, a ka edhe ndonjë rren pa dalën në adres time a jo? Nëse ka, le ti “zbulojn” para se me ik në pushime, se po më duket sivjet edhe detin kanë vendos mos me më lën me shiju si duhet! Zafa”, ka shkruar ai në Facebook.

Lajmin denoncimin e Berishës për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Ai tha se viktima ka deklaruar në Polici që përmes telefonit është kanosur nga i dyshuari, Z.B.,për tri ditë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili ka dhënë urdhër që të intervistohet I dyshuari.

“Hetuesit nga Sektori i Hetimeve Rajonale e kanë shoqëruar të dyshuarin, është intervistuar dhe pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt. Në konsultim me Prokurorin Kujdestar, iniciohet rasti “Kanosje”. Rasti është duke u hetuar nga njësiti Hetimeve rajonale në Prizren”, tha Gashi për Express.

Express ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Totaj, por ai ka qenë i paqasshëm.

Zafir Berishës punë me Polici i doli edhe në fillim të këtij muaji, kur dyshohet se sulmoi disa zyrtarë policorë.

Ai u arrestua më 8 qershor, mirëpo pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt.

Po atë ditë, Berisha u deklarua për t7, ku tha se nuk është e vërtetë që ka penguar ndonjë zyrtar policorë, por një tiketë dënimi i është shqiptuar derisa e kishte parkuar veturën para Shoqatës së Veteranëve. Por, sipas Berishës, ai nuk ishte i vetmi që e kishte parkuar veturën aty, por i vetmi që u gjobit.

“Nuk është e vërtetë që kam penguar ndonjë zyrtar policor, por për disa ditë rresht dikush nga Policia para Shoqatës së Veteranëve më vendos tiketë denimi për parking edhe pse dhjetëra vetura tjera të parkuara nëpër parking e trotuare e më keq se e imja ishin të parkuara dhe nuk kishin tiketa dënimi. Tipin në fjalë nuk e njoh por veprimet e tij më bëjnë të dyshoj se kanë qenë provokuese dhe me qëllim për të cilin pres përmes organeve të drejtësisë ta sqaroj sepse si kam borxh me ardhe me m’çit gaz pa arsye”, thuhej në reagimin e Berishës dërguar në adresë të t7.

Të ngjashme