Totaj: Veprimet e kryetarit Haskuka, ngjasojnë me veprimet e regjimeve totalitare

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren, shpreh shqetësimin e saj të thellë, në lidhje me vendimin arbitrar të Kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, me ç’rast përmes një konkluzioni të jashtëligjshëm, i cili është në kundërshtim me vendimin e organit më të lartë vendimmarrës në nivel lokal, konkretisht vendimin e vitit 2005, ushtron presion mbi forcat politike opozitare, që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Komunës së Prizrenit.

Njoftimi për ekzekutim të dhunshëm, për largim të subjekteve politike nga zyret, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre politike legale, që kanë qenë kontributdhënëse në periudha të ndryshme të qeverisjes në Komunën e Prizrenit, paraqet një prej veprimeve më jo institucionaliste, jo parimore dhe aspak demokratike, që nga pas lufta e deri më sot.

Mënyra e tillë e veprimit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, na kujton kohërat më të errëta në historinë më të re të Kosovës, kur regjimi i atëhershëm diktatorial, i nxjerrte njerëzit me dhunë nga zyret, nga shkollat, nga spitalet dhe më në fund edhe nga shtëpitë e tyre me forcë, sikurse tani që është vendimi për largim të dhunshëm me polici, ndaj subjekteve politike të Komunës së Prizrenit.

PDK dega  në Prizren, konsideron se arsyetimi i Kryetarit të Komunës së Prizrenit është i paqëndrueshëm, ngase subjektet politike nuk janë organizata të cilat gjenerojnë profit, por veprimtaria e tyre është në shërbim të interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, zhvillimit të pluralizmit dhe demokracisë në vendin tonë. Andaj, PDK dega në Prizren, kërkon nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, që të tërhiqet nga vendimmarrja jo e ligjshme, në të kundërtën PDK do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtës, që i’u takon të gjitha subjekteve politike, sipas vendimit të vitit 2005, të organit më të lartë vendimmarrës në Komunën e Prizrenit.

Të ngjashme