E ardhmja e Granit Xhakës me kombëtaren e Zvicrës mbetet e hapur, ndërsa trajneri Murat Yakin ka folur mbi situatën që ka përfshirë kapitenin zviceran pas çështjes së certifikatës së falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19.
Yakin ka bërë të ditur se Xhaka e ka pranuar gabimin dhe se tashmë ka marrë përgjegjësinë publike për veprimin e tij.
“Graniti e ka kuptuar se ka bërë një gabim. Atij i vjen keq dhe publikisht e ka marrë përgjegjësinë për sjelljen e tij”, ka deklaruar Yakin në një intervistë për “Blick”.
Xhaka ishte planifikuar t’i bashkohej Zvicrës në Belek, aty ku skuadra po përgatitet për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve. Megjithatë, pas bisedimeve me presidentin e Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV), Peter Knäbel, mesfushori vendosi të qëndrojë për disa javë jashtë grumbullimit.
Vendimi u mor me synimin që kombëtarja të mos shpërqendrohej nga debati publik që ka shkaktuar kjo çështje.
“Është sigurisht një keqardhje e madhe nga aspekti sportiv që duhet të bëj pa të. Por, ne ramë dakord se ky është vendimi i duhur në këtë moment”, u shpreh Yakin.
Sa i përket rikthimit të Xhakës në grumbullimin e ardhshëm, trajneri zviceran nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare. Sipas tij, situata do të diskutohet sërish pasi të përfundojnë katër ndeshjet e radhës të kombëtares, transmeton Klankosova.tv
“Jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje të mirë për të gjithë. Unë dhe Graniti jemi gjithmonë në kontakt”, tha Yakin.
Ai shtoi se e vlerëson mënyrën se si Xhaka po e menaxhon situatën dhe theksoi se kapiteni po vepron duke pasur parasysh interesin e skuadrës.
“Ai është shumë i matur, i kthjellët dhe mendon e vepron në interesin më të mirë të ekipit. E vlerësoj shumë këtë”, përfundoi trajneri i Zvicrës.