Trajnim i përbashkët i njësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe FARSH-së

Prishtinë | 25 Tet 2019 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Në ambientet e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile në Pomozotin, që nga data 04 tetor e deri më 01 nëntor 2019, është duke u realizuar „Kursi i Avancuar i Kërkim-Shpëtimit në Male“, në të cilin po marrin pjesë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

“Përveç pjesës teorike e cila është duke u realizuar në ambientet e kazermës „Evropianët e Rinj“ në Pomozotin, pjesën teorike, kursantët janë duke e realizuar në terrene të ndryshme malore tepër sfiduese, si te: Guri i Plakës, në Bjeshkët e Rugovës-Pejë, në Bjeshkët e Pashtrikut në Gjakovë dhe në malet e Sharrit në Prizren”, thuhet në njoftimin për media.

Ky trajnim mjaft sfidues është duke u realizuar nga instruktorët e Qendrës për Trajnime të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, të cilin po e ndjekin 6 pjesëtarë të FSK-së dhe 10-të pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i këtij trajnimi është ngritja e njohurive të mjaftueshme për përballje me situata të ndryshme, që ndërlidhen me operacione malore dhe po ashtu në aftësimin për menaxhimin e situatave të ndryshme gjatë ballafaqimit me emergjenca të ndryshme natyrore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme