Shtatë deri në tetë vjet, i duhet një qytetari të presë nëse dëshiron që çështjet civile të zgjidhen nga gjyqësori në Kosovë.
Si i tillë, sipas avokatëve në vend, ka raste kur vonesat e këtyre kontesteve përfundojnë në raste penale, për shkak se marrin drejtësinë në duart e tyre vetë palët duke shkaktuar në raste të veçanta edhe vrasje, raporton Ekonomia Online.
Një ndër arsyet kryesore të kësaj zvarritje konsiderohet numri i madh i lëndëve civile me të cilat është i ngarkuar sistemi gjyqësor, rrjedhimisht edhe numri i vogël i gjyqtarëve.
Avokati Yll Zekaj thotë për Ekonomia Online, se nga viti në vit, ka numër më të madh të lëndëve civile që mbesin të pazgjidhura, sesa ato që zgjidhen.
Zekaj ka thënë se nga fillimi i parashtrimit të lëndës, e deri në përfundimin e saj përfundimtar duke e llogaritur edhe shkallën e dytë, minimumi i merr tetë vite.
“Problemi me lëndë civile ka vazhduar vite për vite dhe nuk ka arritur të gjejë zgjidhje. Për më keq, në secilin vit ne kemi numër më të madh të lëndëve civile të cilët mbesin të pazgjidhura në sistemin gjyqësor sesa ato që zgjidhen. Kështu që në sistemin gjyqësor më shumë hyjnë lëndë në sistem sesa që gjyqtarët arrijnë që t’i zgjidh ato”.
“Sot përballemi me një situatë kur në Gjykatat tona për ta zgjidhur një lëndë civile nga fillimi i parashtrimit të padisë deri te marrja e një vendimi i shkallës së parë, na merr rreth tri deri në katër vite, pastaj kemi edhe një situatë të njëjtë edhe në Gjykatën e Apelit, ku për çdo ankesë që shtrohet ndaj aktgjykimi të shkallës së parë në lëndën civile, për t’u trajtuar e njëjta prapë merr tri apo katër vite të tjera”, tha ai.
Zekaj ka thënë se si pasojë e këtyre vonesa, lëndët penale, shpesh kthehen edhe në raste penale, pasi siç thotë ai, shkaku i kohëzgjatjes së këtyre rasteve, palët e përfshira në procedurë i kanë acaruar marrëdhëniet dhe kanë përfunduar me ngatërresa të tjera.
“Gjithsesi, pasojat janë të ndryshme, për shkak të zvarritjes së procedurave në sistemin tonë gjyqësor. Kemi pasur raste të tilla kur shkaktar i një rasti penal ka qenë pikërisht një rast civil, për shkak të kohëzgjatjes për ta zgjidhur një rast civil, ka ardhur deri te acarimi i marrëdhënieve të palëve në procedurë, dhe ka përfunduar me një rast penal, qoftë me vrasje apo ngatërresa të tjera”, u shpreh Zekaj.
Dëm të madh qytetarëve po u bëhet edhe nga kompanitë e sigurimeve, pasi siç thotë Zekaj, qytetarët detyrohen të pranojnë shumë të vogël të kompensimit pasi janë të vetëdijshëm për vonesat në sistemin e drejtësisë.
“Ne shohim për çdo ditë na puna jonë në praktikë që kompanitë e sigurimeve ofrojnë shuma të vogla për dëmin që iu ka shkaktuar qytetarëve, duke e shfrytëzuar gjendjen në sistemin e drejtësisë që qytetarët janë të padurueshëm për të pritur 7-8 vite për të realizuar një kompensim të dëmit real të cilit iu është shkaktuar, dhe kështu që në këtë situatë atëherë kemi dëmtimin e qytetarëve ata për të mos pritur kaq gjatë, pranon një ofertë në të cilën e ofron kompania e sigurimeve, dhe e cila është dukshëm me e ultë sesa dëmi real që iu është shkaktuar qytetarit”.
Njëjtë mendon edhe avokati tjetër, Burim Halili. Ai konsideron se vonesat në sistemin gjyqësor dallon edhe nga qyteti në qytet.
Ai për ekonomia Online ka thënë se Gjykata Themelore, është kampion i vonesave rasteve penale.
“Sfidat me të cilat përballen qytetarët në kontestet civile, janë të stërzgjatura. Periudha e kohëzgjatjes së kontesteve dallon pakëz edhe nga Gjykatat nëpër qytetet e Kosovës. Kisha dashur ta veçojë Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila për trajtimin e një rasti civil nga momenti që paraqitet padia deri në vendimin e formës së prerë, duhet minimalisht pesë vite, e kemi raste që zgjat edhe në 10 vite deri në vendim të shkallës së parë, e kur apelohet ky vendim që shkon në shkallë të dytë, atëherë i duhen dy ose tri vite”.
Halili ka marrë shembull edhe kompensimin e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve.
“Te qytetarët është duke ndikuar shumë, sepse ata që nga fillimi hezitojnë të procedojnë dhe shikojnë që me i zgjidh këto konteste, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e një procesi. Një ndër shembujt janë se edhe pa vullnetin e qytetarëve që bëjnë marrëveshje në kontestet civile, i kemi tek kompensimi i dëmeve me kompanitë e sigurimeve, ku në shumicën e rasteve edhe pse kompensimi nuk është në përputhje me dëmin që është krijuar, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e këtyre procese, ndodh që bëjnë marrëveshje me një shumë që ndoshta 70 për qind është më e vogël”, u shpreh Halili për EO.