Në një eksperiment të realizuar në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, është prodhuar biogas nëpërmjet trajtimit të ujërave të zeza.
Ky eksperiment është kryer në kuadër të punëtorisë për trajtimin e ujërave të zeza që është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini”, Universiteti “Van Hall Larenstein” nga Holanda dhe Shoqata e ekspertëve holandez “PUM”.
Koordinatori i kësaj punëtorie, ku po ligjërojnë ekspertë holandez, prorektori për Marrëdhënie me jashtë, Rifat Morina, tha se pjesëmarrësit po përgatiten që në të ardhmen nëpërmjet trajtimit të ujërave të zeza të prodhohet biogas.
“Ky proces mundëson trajtimin e ndotjes dhe prodhimin e biogasit, duke bërë që të ulet edhe kostoja e trajtimit të ujërave të zeza”.
Sipas tij, ideja është që në të ardhmen mbeturinat të shihen si lëndë e parë për prodhimin e biogasit dhe produkteve tjera dhe jo si diçka të dëmshme.
“Është një eksperiment që për herë të parë po realizohet tek ne, prej të cilës nuk do të përfitojnë vetëm pjesëmarrësit në këtë punëtori, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, meqë po përgatitemi me kuadro që të përballemi me sfidat që paraqet trajtimi i ujërave të zeza”.
Në punëtori po marrin pjesë rreth 30 veta, në mesin e të cilëve ka studentë dhe profesorë nga Universiteti “Isa Boletini” dhe nga Universiteti i Prishtinës, mandej ekspertë nga Ministria e Mjedisit, industria e qumështit, kompanitë rajonale të ujërave etj.
Punëtoria “Trajtimi i ujërave të zeza” po mbahet në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe do të zgjasë deri më 28 tetor 2016.
Prorektori Morina, tha se trajtimi i ujërave të zeza është një sfidë për Kosovën në përgjithësi, prandaj edhe ka pasur interesim të madh për të marrë pjesë në këtë punëtori.