Brenda 18 muajsh, falë investimeve të Qeverisë do të transformohet bregu perëndimor I Liqenit të Shkodrës, për ta kthyer në një destinacion të mirëfilltë turistik, që ofron hapësira urbane dhe natyrore të dedikuara për të gjithë të apasionuarit pas natyrës, historisë apo sportit.
“Mirëmëngjes , dhe me këtë projekt që brenda 18 muajsh, do të transformojë bregun perëndimor të Liqenit të Shkodrës nga një krah i paralizuar e i degraduar prej dekadash, në një tjetër perlë turistike të Shqipërisë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Edi Rama në facebook.
Projekti “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës” është nismë e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Shtirja fillon nga hyrja e Urës së vjetër të Bunës deri në sheshin qendror të Shirokës dhe mbulon një sipërfaqe prej 115 hektarësh.
Koncepti i përgjithshëm i zhvillimit të zonës së Shirokës ndërthur hapësirat urbane dhe ato natyrore me identitetin dhe traditat me qëllim transformimin e kësaj zone në një qendër shumë-dimensionale dhe gjithëpërfshirëse.
I gjithë koncepti ruan identitetin historik, urban dhe natyror të zonës. Për shembull parashkohen modele tradicionale për mozaikët e sheshit qendror që do të shtrohet. Krahas rehabilitimit të sheshit restaurohen fasadat e ndërtesave të zonës përmes unifikimit të materialeve dhe ngjyrave.
Një hapësirë krejtësisht e re do t’i dedikohet të apasionuarve pas historisë, legjendave e miteve dhe punimeve artizanale.
Plani synon të mbrojë hapësirën e liqenit dhe ndaljen e ndërtimeve të reja në zonë. Restaurimet në hapësirën natyrore dhe përgjatë vijës liqenore parashikojnë ndërtimin e platformave të drurit në breg të liqenit, krijimin e shtigjeve panoramike në kodrën e Shirokës, këndet e lojërave, etj. Qëllimi është nxitja e shëtitjeve në këmbë dhe përdorimi i biçikletave për një trafik minimal makinash.
Për të bërë çdo ndërhyrje të qëndrueshme dhe miqësore me natyrën parashikohet përdorimi në shkallë të gjerë i materialeve natyrore si guri dhe druri.