Në emër të ministrit të infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltari politik i tij, Pjeter Ndou, bashkë me drejtorin e departamentit të transportit, Xhemë Veseli kanë pritur në takim kryetarin e shoqatës së transportuesve rrugor të Kosovës, njëherit anëtar i kryesisë së Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishi, dhe përfaqësues të shoqatës së transportuesve nga regjioni i Prizrenit.
Ndou dhe Veseli, dëgjuan ankesat dhe kërkesat e shoqatës, të cilat i shtyen për të hyrë në grevë dhe pas diskutimeve konstruktive, të dyja palët ranë dakord që të ndërpritet greva dhe të vazhdohet me operim normal të linjave të rregullta, Prizren – Prishtinë dhe anasjelltas.
Në vazhdimësi, Ndou theksoi përkushtimin maksimal të ministrit Lekaj dhe të kabinetit për zgjidhjen e të gjitha problemeve të operatorëve ekonomik, gjithmonë në dobi të shërbimit të qytetarëve.
Ministria e infrastrukturës, gjegjësisht departamenti i transportit rrugor në bashkpunim me operatorë, shoqatat dhe të tjera palë relevante, në afat sa më urgjent do t’i trajtojnë dhe zgjidhin të gjitha problemet që i kanë transportuesit.