Tranzicioni energjetik në Kosovë i vonuar, i neglizhuar dhe i diskutueshëm

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Nuk u sqarua deri në fund asnjëherë fakti më i rëndësishëm dhe më përcaktues i zhvillimeve elektroenergjetike të Kosovës deri më tash, e me gjasë edhe shumë vite në vijim: A do të mund ta zëvendësojnë kapacitetet e energjisë së rinovueshme, qoftë edhe 30 për qind deri më 2031, prodhimin nga qymyri, i cili siç dihet edhe sot, në fillim të 2023-tës, është dominues dhe sovran me potencën e tij për të siguruar rrymë për vendin, ose për faktin se mbi 95 për qind të kapaciteteve elektroenergjetike të Kosovës akoma janë nën “pushtetin” e qymyrit. A do ta realizojë ndonjëherë Kosova tranzicionin energjetik?

Kosova ka mungesë të energjisë elektrike. Dhe kjo mangësi me pasoja për vendin është ditur kaherë, sidomos që nga viti 2000, ndërsa përjetimi i krizës së ashpër energjetike në fund të vitit 2021 dhe në fillim të 2022-shit, shpërfaqi me tërë ashpërsinë pasojat nga mungesa e rrymës, që siç u provua dhe u dëshmua di të jetë e ashpër, të zgjatë për shumë kohë, sidomos gjatë muajve të dimrit dhe në kohën e ashtuquajtur të pikut, kur konsumi rritet ndjeshëm dhe ka nevojë për më shumë energji, të cilën Kosova nuk e ka.

Kosovarët, edhe zyrtarët e tyre, pokështu e kanë të ditur se mungesa e energjisë në vendin e tyre, është pasojë kryekëput e mungesës së kapaciteteve prodhuese, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë sosh të rinovueshme për ta përmbushur dhe kompenzuar këtë mungesë.

Termocentralet ekzistuese të stërvjetruara- Kosova A prodhon energji që nga vitet e 60-ta, ndërsa B-ja si më e re, funksionon që nga viti 1979. Dhe, prodhimi akoma i energjisë nga termocentralet Kosova A, realisht është bërë i rrezikshëm edhe për punëtorët e angazhuar në këtë ‘dinozaur’ të stërlashtë, por edhe për banorët rreth e çark tij. Sipas ekspertëve brenda për brenda këtij termocentrali, asnjë ditë pune në të nuk është e sigurtë. Stabilimentet e stërvjetëruara mund të dështojnë në çdo çast, madje mund të ndodhin edhe fatkeqësi të rënda si pasojë e ndonjë dështimi të madh të stabilimenteve shumëvjeçare. Këto janë fakte të padiskutueshme.

Mirëpo, edhe ca zhvillime të tjera që kanë ndodhur në ndërkohë në komunitetin energjetik të botës, domosdo që kanë qenë faktor goxha determinues për ecuritë elektroenergjetike në vendin tonë. Në radhë të parë përcaktimi i shumicës së shteteteve të botës dhe krahas tyre edhe i asociacioneve ndërkombëtare energjetike dhe goxha me ndikim në kahet e zhvillimit të ardhshëm energjetik për dekarbonizimin në një të ardhme thuaja të afërt të botës, që do të thotë edhe të shteteve veç e veç, ka pasur ndikim të veçantë në vizionet zhvillimore energjetike, e sidomos në vendet në zhvillim dhe në ato të varfëra. Në Kosovë, rezolutat, vendimet dhe domkumentet e shumta të asociacioneve të botës, janë reflektuar edhe më shumë, sepse ato kanë paraparë afate konkrete për të rritur përqindjet e energjisë së rinovueshme në dëm të energjisë së prodhuar nga qymyri.

Me fjalë të tjera, Kosova, megjithë rezervat kolosale të thëngjillit (vlerësohet se Republika jonë radhitet e pesta në botë për nga rezervat e thëngjillit), kushtimisht është e detyruar, ose do të detyrohet t’ia kthejë shpinën gjithë kësaj sasie të qymyrit dhe në sipërfaqe të tokës në favor të vizioneve zhvillimore energjetike të rinovueshme. Shi për këtë, sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, autoritet kosovare, dhe veçmas ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe në shumë raste edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe komuniteti energjetik dhe përfaqësues të shqoqërisë civile kosovare, gjatë viteve të fundit e sidomos gjatë 2021-shit dhe 2022-shit, kanë vu në dukje se “konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht, deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050”.

“Për qytetarët e për planetin tonë, ne duhet të sigurohemi që të kontribuojmë për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike”, ka thënë shumë herë në këto vite ministrja Rizvanolli.

“Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në konsumin e energjisë tonë elektrike sot është vetëm 5%, ndërsa në skenarë që jemi duke i zhvilluar ka indikime që kjo shifër do të ketë rritje deri në 25-30% për vitin 2031. Pra një rritje prej përafërsisht 400%, me synim të rritjes deri në 50% të pjesëmarrjes së BRE-ve në konsumin e energjisë elektrike deri në vitin 2050”, kishte sqaruar sa e sa herë ajo.

Krejtësisht në këto valë ishin edhe diskutimet e shumta të kryeministrit Kurti. Mirëpo, në këto premtime të bëra nga zyrtarët gjatë debateve, intervistave dhe vizitave nëpër objekte të ndryshme elektroenergjetike të vendit, dhe gjatë debateve për Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031, nuk u sqarua asnjëherë deri në fund se si do të përmbushen objektivat e premtuara, a do të ketë Kosova e varfër gjithë ato para për të ndërtuar deri më 2031 këto kapacitete prodhuese të energjisë së rinovueshme, a do të ketë kuadrin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për implementimin e këtyre projekteve e shumë çështje të tjera.

Nuk u sqarua deri në fund as fakti më i rëndësishëm dhe më përcaktues i zhvillimeve elektroenergjetike të Kosovës deri më tash, e me gjasë edhe shumë vite në vijim: A do të mund ta zëvendësojnë kapacitetet e energjisë së rinovueshme, qoftë edhe 30 për qind deri më 2031, prodhimin nga qymyri, i cili siç dihet edhe sot që kemi hyrë në 2023-tën, është dominues dhe sovran në potencën e tij për të siguruar rrymën e nevojshme për Republikën, ose për faktin se mbi 95 për qind të kapaciteteve elektroenergjetike të Kosovës akoma janë nën “pushtetin” e qymyrit. Thjesht, duhet të sqarohet se sa kapacitete elektroenergjetike të rinovueshme duhet të ndërtohen në Kosovë për të zëvendësuar 30 përqindëshin e energjisë në bazë të qymyrit. Aq më parë kjo pyetje shtrohet kur dihet se kapacitetet elektroenergjetike në bazë të erës, ose edhe ato solare, asnjëherë të vetme në Kosovë nuk do të arrinin fuqinë instaluese, madje në të shumtën e kohës as gjysmën e fuqisë instaluese. Që do të thotë se 30 për qind e energjisë së rinovueshme i bie diku rreth 350-400 megavatë-orë energji efektive të rinovueshme. Ndërsa për të arritur këtë sasi të energjisë së rinovueshme, shihet se duhet të ndërtohen dhjetëra kapacitete, që nuk janë pak të kushtueshme.

A do të ketë financa Kosova për këto kapacitete, por edhe a do të ketë kohë të mjaftueshme që deri më 2031, të ndërtojë dhjetëra kapacitete të energjisë solare, apo sosh me erë (së paku të kapacitetit 100 megavatësh), dhe a është e përgatitur që në vitet në vazhdim (kanë mbetur edhe 8 vjet gjithsej), të arrijë këtë synim, është realisht e diskutueshme. Realizimi i këtij vizioni, apo synimi bëhet edhe më i diskutueshëm kur kihen parasysh vonesat e gjithhershme te ne në realizimin e projekteve kaq kapitale.

Kjo periudhë e parashikuar për arritjen e synimeve për të pasur këtë përqindje të energjisë së ripërtëritshme deri më 2031, sipas njohësve të rrethanave elektroenergjetike të vendit, por edhe të inxhinierëve të përkushtuar fortë për të pasur sa më shpejtë kapacitete të reja prodhuese, qoftë të rinovueshme, qoftë edhe sosh nga qymyri (tani pas krizës elektroenergetike globale, thëngjilli më nuk është edhe aq temë tabu, siç ishte para krizës) është, gjithsesi, koha e tranzicionit energjetik në Kosovë, të proklamuar me aq pompozitet nga të gjithë, sidomos nga autoritetet e vendit dhe nga inxhinierë të KEK-ut. Ky tranzicion, fillimisht ishte paraparë të zbatohet dhe të përmbushet, pak a shumë deri në vitin 2032, kur definitivisht Kosova do ta kishte orientimin e qartë drejtë zhvillimit elektroenergjetik të dominuar nga energjia e rinovueshme dhe në disfavor të qymyrit. Por, edhe në këtë plan, përkatësisht edhe në realizimin e tranzicionit energjetik, në bazë të zhvillimeve të deritashme dhe atyre aktuale, po vonohemi, po humbet shumë kohë, dhe ende sikur nuk janë detajizuar synimet. Sikur akoma ka dilema se çka do bëhet pas flakjes eventuale të qymyrit.

Qëndrimi në ‘vendnumëro’ i autoriteteve kompetente dhe vendimmarrëse aktuale të Kosovës, rreth ndërmarrjes së ndonjë hapi, apo veprimi, për të bërë diçka, për t’u përcaktuar definitivisht për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri elektroenergjetik, qoftë nga qymyri, të cilit tashmë pas krizës globale energjetike, bota po i rikthehet, pa e fshehur këtë fakt, qoftë të ndonjë kapaciteti të energjisë së rinovueshme, është i dëmshëm edhe për zbatimin e tranzicionit energjetik, që po vonohet pashpjegueshëm. Nuk ka asnjë projekt konkret, pos atij të “Solar4Kosova”, qoftë të energjisë së ripërtëritshme, qoftë të asaj të rinovueshme, madje as në diskutim. Ende është fare i paqartë edhe fati i termocentraleve ekzistuese Kosova A.

A do të rindërtohen ato të tërat, siç u thanë ditët e para të Qeverisë Kurti 1, apo siç po diskutohet së fundi dhe siç është paraparë edhe në Strategjinë Energjetike 2022-2031, vetëm njëri bllok i Kosovës A, apo dy blloqe siç ka zënë të flitet tani në qarqe të ndryshme energjetike të vendit?

Ministrja Rizvanolli, në disa paraqitje publike gjatë vjetëve të shkuara, ka paralajmëruar se Strategjia e pritshme energjetike për periudhën 2022-2031, “nuk do të përfshijë ndërtimin e ndonjë termocentrali me qymyr”. Por, ajo nuk e bëri publike asnjë të dhënë të re konkrete se si do ta përballojë Kosova në vitet në vazhdim krizën e ashpër energjetike, që e ka pllakosur vendin edhe gjatë mandatit të ushtrimit të funksionit të saj qeveritar, pos që ka ripërsëritur se “ fokusi kryesor në aspektin e investimeve do të jetë në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, dhe nuk do të përfshijë ndërtimin e ndonjë termocentrali me qymyr”.

Ajo, pa saktësuar më shumë, në disa raste ka vënë në dukje se “investime duhet të bëhen edhe në termocentralet e vjetra Kosova A dhe Kosova B, ndërsa te A-ja investimet mund të jenë më të vogla në krahasim me Kosova B”. Nuk dihet pra se kjo Qeveri, kur dhe a do të nisë fare investimet e domosdoshme dhe të paralajmëruara në termocentralet e vjetra, sikundër që nuk dihet sa do të jenë këto investime dhe nga do të sigurohen mjetet financiare.

“Burimet e ripërtëritshme të energjisë do të kenë rol kyc, investimet në Kosovën B, termocentralin 40 vjeçar, duhet të ndodhin. Ndërsa, sa i përket çështjeve të tjera janë cështje të cilat do t’i diskutojmë së shpejti”, bëri të ditur ajo në një emission televiziv.

“Ka mundësi që kjo të jetë pjesë e zgjidhjes, jo krejt Kosova A, një njësi ose dy. Mirëpo, kjo nuk është e vendosur, çfarë është me rendësi të thuhet është se për herë të parë kemi një strategji e cila shikon përpara drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë deri në vitin 2050”, theksoi Rizvanolli disa herë gjatë vitit të kaluar.

“Rritja e burimeve të ripërtërtitshme të energjisë është një prej objektivave kryesore, rritja e efiçiencës që do të na mundësojë në fakt të kemi më pak nevojë për investime të shtrenjta, dhe çmime më të larta, është një objektiv kryesor tjetër”, kishte nënvizuar ajo.

Por, ajo dhe askush tjetër nga kabineti aktual qeveritar nuk e tha se si apo në ç’mënyrë do të bëhet rritja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Cilat do të jenë kapacitetet elektroenergjetike të energjisë së rinoviueshme? Cilat do të jenë kapacitete eventuale në bazë të erës, cilat janë ato të energjisë solare, dhe cili do të jetë hidrocentrali, nëse do të ketë në plan të ndërtohet ndonjë i tillë? Por, nuk dihet as ndonjë afat më i saktësuar për ndonjë kapacitet të ri energjetik, as për nisjen eventuale të rindërtimit të termocentraleve të stëramortizuara tashmë.

Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse vërtetë do të ndodhë, jo vetëm se po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe te ne, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet të energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Një nismë tjetër e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme është bërë e ditur kohë më parë nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, i cili bëri të ditur se KEK planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit Kosova A. Dhe për këtë iniciativë tashmë tashmë nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë, ku përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshihen edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme. Por, tani për tani kjo nismë ka mbetur vetëm në nivel të iniciativës. Nga qeveritarët nuk u dëgjua asnjë fjalë rreth kërkesës së KEK-ut për të ndërtuar një park solar 100 megavatësh në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’.

Sidoqoftë, tashmë, pas shpalljes si fakt të kryer se më nuk do të ketë termocentral të ri në bazë të qymyrit, për Kosovën bëhet urgjencë gjetja e alternativave për të zëvendësuar sa më shumë kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Dhe, shteti e pushteti i Kosovës, prandaj duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërzgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur një kapacitet elektroenergjetik alternativ, qoftë solar, apo në bazë të erës. Sepse, tani për tani Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme, ose gjithsej diçka mbi 150 megavat-orë energji, që realisht bëjnë shumë më pak megavatë të energjisë efektive. Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.

Sido që të jetë, Kosovës i duhet energjia elektrike e munguar dhe këtë mungesë e ka paguar me çmime stratosferike. I duhet, energji elektrike, madje urgjentisht. Prandaj, edhe më tutje mbetet e diskutueshme heqja dorë kaq vrullshëm dhe kaq njëanshëm mu në pikun e krizës së ashpër nga rindërtimi i Kosovës A, tre blloqet e saj A3, A4 dhe A5-shi, dhe të paralajmëruar qysh para një viti po nga qeveritarët se në rindërtimin e këtyre tre blloqeve do të investohen diku rreth 200 milionë euro. Tani, kur pas krizës globale energjetike dhe sidomos pas luftës ruso-ukrainase, kur shumë shtete të botës, edhe sosh të fuqishme, iu rikthyen qymyrit dhe e riaktualizuan këtë resurs natyror të nevojshëm dhe të domosdoshëm për disa vitet e ardhshme, Kosova, thjesht, po e zhvleftëson resursin më të bollshëm që ia ka falur natyra.

Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji nga qymyri dhe energji të rinovueshme edhe në vitet në vazhdim të të ashtuquajturit tranzicioni energjetik. A do ta zbatojë favorshëm Kosova këtë tranzicion si kthesë të domosdoshme për të ardhmen energjetike të vendit, mbetet të shihet. Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë çka po duam. Duhet mbase edhe ta themi se Kosova nuk është në gjendje t’i bëjë ballë presionit ndërkombëtar për të hequr dorë definitivisht nga shfrytëzimi i thëngjillit, që e kemi me bollëk te dera dhe në sipërfaqe të tokës. Pastaj, me nguti dhe pa humbur asnjë orë, t’i përkushtohet gjetjes së alternativave për ta zbutur mungesën e rrymës. S’ka zgjidhje tjetër. Dhe në këtë kontekst, nuk duhet pritur pafundësisht për të vendosur për rindërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme, nëse shteti e ka ndërmend seriozisht ta bëjë këtë për ndërtimin e shterrimin e të gjitha mundësive për të shtuar kapacitete për energji të rinovueshme. Deri tash është pritur tepër shumë, është dëgjuar më shumë nga jokompetentët dhe profesionistë të paditur për të ngritur kapacitete të reja energjetike, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë të energjisë së ripërtëritshme. Tani, nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. 

Të ngjashme