Tranzicioni i FSK-së në ushtri sfidohet nga mungesa e pjesëtarëve serbë

Prishtinë | 26 Jan 2019 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komuniteteve pakicë, kryesisht ata serbë, por edhe boshnjakë, vazhdojnë të kenë presione nga autoritetet e Serbisë për shkak të përfshirjes së tyre në këtë forcë.

Sikur edhe në vitin e kaluar edhe sivjet, janë shënuar raste, në të cilat pjesëtarët e FSK-së, që kanë kaluar kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndaluar dhe janë marrë në pyetje nga organet serbe.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes thanë për Radion Evropa e Lirë se ky presion është duke vazhduar, duke i cilësuar si të papranueshme sjelljet e tilla të autoriteteve serbe.

Ibrahim Shala, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, tha se Serbia po vazhdon të bëjë presion mbi pjesëtarët e komuniteteve pakicë që janë pjesë e FSK-së dhe nuk po lejon, sidomos qytetarët serbë, të përcaktohen për punën dhe jetën e tyre.

“Fatkeqësisht, duhet ta pranojnë se qëndrimi i Serbisë nuk ka ndryshuar fare karshi pjesëtarëve të FSK-së. Është qëndrimi i njëjtë. Ajo, sa herë i vjen në shteg, i merr në pyetje pjesëtarët e FSK-së dhe u bën presion atyre për shkak të pranisë dhe aktivitetit të tyre në FSK”, tha Shala.

Javën e kaluar, dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, ishin ndaluar nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinë, ku ishin marrë në pyetje, përkatësisht ishin ndaluar për një bisedë informative.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme