Mëngjesin e sotëm Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla zhvilloi një takim tripalësh me homologun e Shqipërisë Gent Cakaj dhe homologun shqiptar nga Maqedonia e Veriut Bujar Osmani.
Në ditën e shënuar të festës kombëtare të shqiptarëve dhe 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ky takim virtual është simbol i forcimit të rolit të vendeve dhe popullit tonë në rajon. U diskutua për thellim të marrëdhënieve dhe projekteve të përbashkëta midis të tre shteteve, si pararojë e vërtetë e integrimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
Të tre Kryediplomatët u dakordësuan për të vazhduar iniciativën trepalëshe me takimin së shpejti në Prishtinë, për të lartësuar interesat e përbashkëta të shteteve e popujve tanë dhe rikonfirmuar vlerat e përkatësinë tonë Euro-Atlantike.