Tre muaj dënim me kusht për ngacmimin e një gruaje në Facebook

Prishtinë | 20 Dhj 2021 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të hënën e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht të akuzuarin A.A, për ngacmimin e të dëmtuarës N.N, përmes llogarisë Facebook.

Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Avdirrahman Gashi të hënën, dënimi ndaj të akuzuarit A.A, nuk do të ekzekutohen nëse i njëjti në afat prej dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E dëmtuara N.N, kërkesën pasurore-juridike, udhëzohet ta realizojë në procedurë të rregullt gjyqësore.

Po ashtu, i akuzuari detyrohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro si dhe shumën prej 30 euro në fondin e mbrojtjës së viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari A.A e pranoi fajësinë gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe i kërkoi falje të dëmtuarës N.N, duke thënë se nuk ka pasur kurfar qëllimi ndaj së saj por se bashkëshortit të së njëjtës, i cili jeton jashtë vendit B.B, i kishte ndihmuar financiarisht.

Ndërsa, në fund shtoi se, nuk ka asgjë të keqe me të dëmtuarën dhe as nuk do të ketë në të ardhmen.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arif Hasi ka thënë se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e klientit të tij, pasi që i njëjti këtë pranim e bëri në mënyrë vullnetare dhe pasi ishte konsultuar më të, e që të njëjtit pasojat dhe benifitet të cilat i parasheh ligji me rastin e pranimit të fajësisë ia kishte sqaruar.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare, Hasi i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, siç janë pranimi i fajësisë, pendimi i të mbrojturit të tij, e posaçërisht faktin se të dëmtuarës edhe pse pa qëllim i kishte shkaktuar shqetësim.

Ai shtoi se i mbrojturi i tij i kërkon falje të përzemërt të dëmtuarës, me premtim se asnjëherë në jetën e tij nuk do ta shqetësojë, por përkundrazi do ta respektojë si një zonjë të nderuar.

Tutje shtoi se, gjykata ka fakte të mjaftueshme që të mbrojturit të tij, t’i shqiptoi një dënim më të butë të mundshëm me shpresë se edhe një dënim i tillë do të arrihet qëllimi i tij tek i mbrojturi dhe në risocializimin e tij.

Të ngjashme