Tre pretendentët kanë hyrë në garë për të pasuar Jean-Claude Juncker në presidencën e Komisionit, por një marrëveshje duket se po shfaqet në horizont në përpjekje për t’i mbyllur rrugën liderit të së djathtës dhe për të penguar hyrjen e papritur të një figure që nuk është kandidat.
Gjermani Manfred Weber, holandezi Frans Timmermans dhe danezja Margrethe Vestager janë liderët e tre grupeve më të mëdha të Parlamentit të ri, dalë nga zgjedhjet dhe në këtë detyrë, ata munden të kandidojnë për drejtimin e ekzekutivit të ri në Bruksel.
Por, i zgjedhuri duhet të miratohet nga shumica e krerëve të shteteve dhe qeverive anëtarë të Këshillit Europian gjatë një samiti që do të mbahet nga 20-21 qershor dhe të sigurojë më pas votat e shumicës së deputetëve europianë (376) gjatë votimit që parashikohet të mbahet në seancën e dytë të Parlamentit në mesin e muajit korrik.
Gjermani Manfred Weber, i preferuari i së djathtës
Manfred Weber, 46 vjeç, konsiderohet si i preferuari, pasi Partia Popullore Europiane (PPE, e djathtë) mbetet forca e parë në Parlament pas zgjedhjeve europiane pavarësisht humbjes së rreth 30 vendeve.
‘’Ne fituam zgjedhjet dhe do të jetë +Spitzenkandidat+ lideri i PPE-së Manfred Weber presidenti i Komisionit’’, shprehet Joseph Daul, presidenti i PPE-së.
Me origjinë nga Bavaria e Poshtme, i diplomuar për inxhinieri dhe anëtar i CSU-së, Manfred Weber është në krye të grupit parlamentar të PPE-së që nga 2014, por nuk është anëtar i klubit të liderëve të mëparshëm europianë. Më e keqja, nuk ka mbajtur kurrë poste ministrore dhe është pothuajse një figurë e panjohur në Europë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron beson se ai nuk as eksperiencë, as autoritetin e duhur për të drejtuar ekzekutivin në Bruksel dhe të jetë një ndërmjetësues i mirë në bisedimet mes krerëve të shteteve dhe qeverive.
Frans Timmermans, shpresa e së majtës
Kandidati i familjes socialiste europiane, holandezi Frans Timmermans, 58 vjeç, mund të shembë ambiciet e Manfred Weber, por i duhet të gjejë mbështetjen e një koalicioni pa të djathtën.
Ai e pranon se nuk do të jetë një detyrë e lehtë, pas disfatës së socialistëve në zgjedhjet europiane.
Ish-ministër i Punëve të Jashtme, ai është zëvendëspresidenti i parë i Komisionit Europian që nga viti 2014. Në këtë funksion, ai është përgjegjës për procedurat e sanksioneve të ndërmarra ndaj Polonisë dhe Hungarisë për shkelje të shtetit të së drejtës, gjë që i ka kushtuar pakënaqësi deri në ndjesi antipatie në shtetet anëtare.
Margrethe Vestager, zonja e hekurt e liberalëve
Anëtare e Aleancës së Liberalëve, danezja Margrethe Vestager, 51 vjeçe, është pretendentja e tretë.
‘’Ne mund të kemi një grua në krye të Komisionit’’, u shpreh ajo të dielën duke mbrojtur tezën për një koalicion të individëve që duan të ndryshojnë gjërat pasi uroi të gjelbrit për rezultatet në rritje.
Komisionerja Europiane për Konkurrencën ka skalitur në këtë post reputacionin e zonjës së hekurt. Presidenti amerikan, Donald Trump i ngjiti nofkën ‘’zonja taksë e BE-së’’.
Me origjinë nga një vend i vogël, e vlerësuar nga Angela Merkel, ajo mund të mundë dy kundërshtarët e saj me eliminim ose nga një marrëveshje me Frans Timmermans për të larguar Manfred Weber.
Michel Barnier, mjeti i shpëtimit
Liderët europianë kanë ndërkohë të drejtë të zgjedhin një person i cili nuk është kandidat.
Francezi Michel Barnier, 68 vjeç, ëndërron të mbajë këtë post.
Anëtar i PPE-së, dy herë komisioner europian, ish-shef i diplomacisë dhe disa herë ministër në Francë.
Ai siguroi një vend në Këshillin e krerëve të shteteve dhe qeverive ku luan rolin e ndërmjetësuesit për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Ngërçi kryesor për emërimin e tij do të vijë nga Parlamenti Europian.
”PPE-ja nuk do të mbështesë një kandidat i cili nuk ka shpallur kandidaturën para zgjedhjeve”, paralajmëroi Manfred Weber.