Tre të vdekur nga orteku në Alpet e Italisë

Prishtinë | 29 Dhj 2019 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Një grua dhe dy vajza 7-vjeçare kanë vdekur nga një ortek gjatë kohës kur ishin duke skijuar në Val Senales në Alpet e Italisë. Mediet italiane raportuan se gruaja ishte nëna e njërës prej vajzave.

Tri viktimat besohet se ishin shtetase të Gjermanisë. Ato ishin duke skijuar në një lartësi mbidetare prej 2400 metrash në rajonin e Tirolit Jugor, afër kufirit të Italisë me Austrinë.

Një ekip prej 70 personave dhe tre helikopterëve u angazhua për nxjerrjen e trupave të viktimave gjatë operacionit të kërkimit.

Raportohet se dy prej viktimave vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa njëra vajzë u dërgua me shenja jete në spital, por vdiq më vonë.

Përpos tre personave të vdekur, nga orteku u lënduan edhe një burrë dhe një djalë 11 vjeç, por ata nuk ndodhen në gjendje të rëndë.

Ortekët janë mjaft të shpeshtë në Alpet e Italisë, Zvicrës dhe Austrisë. Të premten e kaluar, një skitar u shpëtua pasi kishte qëndruar për pesë orë i izoluar në borë në Austri, shkruan “BBC”, transmeton express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme