Tre të vdekur pas Festivalit të vrapimit të demave në Valencia

Prishtinë | 22 Kor 2022 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Tre burra kanë vdekur në 24 orë nga plagët e marra gjatë festivale të vrapimit të demave në Spanjën lindore.

Ata të gjithë kanë marrë pjesë në vrapimin me dema, traditë e rajonit të Valencias, kur demat kalojnë nëpër qytete, shpesh me njerëz që vrapojnë përpara tyre.

Grupet e të drejtave të kafshëve janë ankuar prej kohesh për rreziqet si për publikun ashtu edhe për kafshët.

Ata thonë se 20 njerëz kanë vdekur në rajon në tetë vitet e fundit.

Tre burrat që vdiqën ishin plagosur rëndë gjatë dy javëve të fundit.

Në një nga incidentet, në Picassent, në jug të qytetit të Valencias, një burrë 56-vjeçar, i cili kishte qëndruar pas një blloku në mes të rrugës, u hodh në ajër nga demi dhe pësoi një dëmtim traumatik në tru. Ai vdiq të martën në një spital në Valencia, nëntë ditë pas ngjarjes.

Një burrë 50 vjeç gjithashtu vdiq në spital pasi mushkëritë e tij u shpuan nga një dem në Meliana, në veri të Valencias, shkruan BBC.

Një vizitor 64-vjeçar vdiq të hënën nga plagët që pësoi në Pedreguer.

Incidentet e rënda janë bërë një tipar i rregullt i vrapimit të demave vitet e fundit.

Festivali më i famshëm i Spanjës, vrapimi i demave në San Fermini në Pamplona, pati 35 të lënduar këtë vit. Kjo është hera e parë që është mbajtur kjo ngjarje pas tri vjetësh, për shkak të COVID-19,

Partia e Spanjës për kafshët – Pacma, përsëriti thirrjen e saj për heqjen e festivaleve të demave, duke kritikuar organizatorët e tri festivaleve të Valencias për rrezikimin e jetës së banorëve dhe abuzimin me kafshët.

Sezoni i këtij festivali ofron një nxitje të ekonomisë së Valencias. Një studim i vitit 2019 zbuloi se ai krijoi më shumë se 3000 vende pune dhe solli 300 milionë euro me pothuajse 10.000 ngjarje në vit.

Të ngjashme