Tre vjet pa shi, thatësira sjell krizën ushqimore në Madagaskar

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Madagaskari po ballafaqohet me thatësirën më të madhe brenda një dekade, ka thënë të martën Organizata Botërore e Ushqimit.

Agjencia ka qenë duke dërguar parcela ushqimi te banorët e fshatrave në jug të ishullit.

Kriza vjen pas tre vjetëve rresht thatësi, gjithashtu edhe nga rënia e madhe ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Jeanluk Siblot, koordinator emergjent i Agjencisë në Madagaskar, thotë se gjendja është shumë e rëndë.

Madagaskari po përballet me thatësirën më të keqe në 10 vjetët e fundit. Të korrat kryesore bëhen gjatë periudhës prill-maj çdo vit. Dhe të korrat e fundit në prill-maj të 2020-s kanë qenë vërtet një nga të korrat më të këqija të pesë vjetëve të fundit. Kështu që njerëzit kanë dështuar që të rikuperohen nga ndikimet e thatësisë”.

Një nga banoret e këtij vendi, Ikemba, thotë se nga mungesa e ujit të pijes detyrohen të pinë ujë në det.

“Ende kemi pak prej këtyre gjetheve. Kur nuk mund të shkoj për të lypur në fshatin fqinj, na duhet të gërmojmë nën këtë rërë pa e ditur sigurt nëse do të gjejmë diçka. Dje dhe sot nuk kam mundur të shkoja, sepse ndihesha shumë e dobët. Kur nuk gjejmë asgjë nën rërë, pimë ujë të detit. Është keq për shëndetin, por nuk kemi zgjidhje tjetër, përndryshe do ta kemi barkun thatë”. 

Shkalla e kequshqyerjes është rritur në rajon, gjë që i ka shtyrë fëmijët që të kërkojnë lëmoshë në mënyrë që të mund t’i ndihmojnë familjet e tyre për të blerë ushqim.

Pandemia COVID-19 e ka vështirësuar edhe më shumë situatën, duke shkaktuar ngritjen e papunësisë.

Organizata Botërore e Ushqimit tani është duke i mbështetur 500,000 njerëz me ushqim në nëntë qarqe jugore të Madagaskarit.

Të ngjashme