Tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë të lëvizë përtej aspiratave

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 15:11 | Nga

Me qëllim të diskutimit mbi sfidat dhe potencialet e investimeve të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe revistën Monitor, organizuan konferencën e përbashkët me temë “Aspiratat për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë”.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka tha se tha se problemet dhe barrierat që pengojnë tregtinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të duhej të zgjidheshin me mirëkuptim dhe dialog, dialog ky i cili vetëm se ka ekzistuar.

“Veprimet që merren nga qeveritë janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që promovohet nga marrëveshje për tregti të lirë me Evropën Qendrore dhe me frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Problemet që paraqiten mes dy shteteve e bëjnë edhe infrastrukturën rrugore të pavlerë dhe jofitimprurëse”, tha Zeka.

Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese.

“Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha Ministri Stavileci. Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.

Avni Ponari, drejtues i kompanisë së sigurimeve Sigal thotë se edhe Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtën natyre, të njëjtën formë organizimi. “Industria e sigurimi sot, në të gjithë rajonin nuk është e zhvilluar. Sigurimet për frymë në Shqipëri janë 25 euro, në Kosovë 50 euro kurse në Kroaci 700 euro. Në Kosovë paguajmë një taksë për qarkullimin prej 5% dhe për shkak të kësaj takse, në Kosovë, sigurimet janë me humbje”, tha Ponari.

Hykmete Bajrami tha se tregu kosovar është përgjithësisht më i hapur ndaj prodhuesve në Shqipëri dhe vendet e tjera, derisa shtoi se përmes dialogut, Ministria e  Tregtisë ka arritur të eliminoje barrierat me të cilat janë përballur prodhuesit kosovar gjatë eksportit.

Ajo shtoi se duhet të ketë më shume takime biznes me biznes ashtu që të ketë më shume marrëveshje bashkëpunimi, siç ishte rasti në një aktivitet të fundit në Sarandë ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe në Shqipëri.

Në fund, ajo foli edhe për reformat që Kosova ka ndërmarrë për përmirësimin e mjedisit të investimeve.

Të ngjashme