Tri njësitë thelbësore të “Trepçës” – minierat me flotacion në Stan Tërg, minierat me flotacion në Kishnicë dhe Artanë dhe minierat me flotacion në Leposaviq – rrezikojnë të shkojnë në likuidim nga 2 nëntori, në rast se deri atëherë Gjykata Kushtetuese nuk e nxjerr verdiktin përkitazi me kontestin e ngritur nga deputetët e Listës Serbe ose nuk vendos për masë të jashtëzakonshme.
Kjo për shkak se ligji me të cilin ato njësi janë transformuar në shoqëri aksionare, nuk mund të hyjë në fuqi pa e dhënë verdiktin final Kushtetuesja, shkruan sot Koha Ditore.
Ligji është miratuar në fund të javës së shkuar dhe e bën Qeverinë pronare të 80 për qind të aksioneve në këto miniera e flotacione.
Por, një ditë më parë, atë e kanë bërë lëndë të Kushtetueses deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë kundërshtuar ligjin si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën nëpërmjet së cilës është miratuar.
Shkaku i kësaj, ligji nuk do të hyjë në fuqi brenda afatit të rregullt kushtetues.