Beogradi e do “Trepçen”, sepse Rezoluta 1244 dhe Dialogu i Brukeslit ia kanë hapur portat kryesore Serbisë, që ta shantazh-ojë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
*** “Ligji për Trepçën”, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën e tij plenare më 7 tetor 2016, i votuar me shumicë votash, me përjashtim të deputetëve të “Listës Serbe”, është absolutisht legal dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), sepse ka të bëjë me pasurinë legjitime dhe të ligjshme të Kosovës, jo të Serbisë.
Duke qenë se “Trepça” ndodhet në territorin e Republikës së Kosovës, logjikisht kuptohet se, është edhe pronë legale dhe legjitime e Kosovës mbase shqiptarët janë titullarë të saj, jo kolonizatorët serbë dhe Serbia kolonialiste dhe gjenocid-ale (1912-1999). Prandaj, me gjithë akuzat e pushtetarëve të lartë të qeverisë së Serbisë, se gjoja qeveria e Kosovës “është duke e konfiskuar pasurinë e Serbisë”, me qëllim të “përzënies” së serbëve nga Kosova, miratimi i ligjit për shtetëzimin e kombinatit xehtaro-metalurgjik “Trepça”, është edhe në interesin e minoritetit serb, ashtu sikurse të të gjithë qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, Marko Gjuriqi ( “officer ndërlidhës” i Beogradit në Kosovë) deklaroi se Serbia dhe serbët nuk do ta pranojnë “Ligjin për Trepçën” të Qeverisë së Kosovës, sepse “ka karakter të spastrimit etnik të serbëve nga Kosova; nuk ka kurrfarë efeketi juridik mbase është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara; është grabitje e pronës së Serbisë, prandaj për këtë arsye, do t’i detytojmë liderët e qeverisë së Kosovës, që të japin sqarime para BE-së dhe OKB-së”.
Kjo akuzë shpifëse nuk është e qëndrueshme as politikisht e as në kuptimin juridik dhe kushtetues, sepse “Ligji për Trepçën” është tërësisht legal dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në interes të të gjithë qetarëve të saj, jo në funksion të “spastrimit etnik të serbëve nga Kosova”, siç gënjen me paturpësi Marko Gjuriq, i cili së bashku me presidentin Tomislav Nikoliq dhe me kryeministrin e tij Aleksandar Vuçiq, si dhe me minoritarët serbë në Kosovë nuk e njohin e shtetin e pavarur të Kosovës, por sipas Kushtetutës së Serbisë (2006) ende e konsiderojnë si “pjesë integrale territoriale dhe shtetërore” të Serbisë.
Ky është problemi mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse derisa Serbia dhe serbët e Kosovës nuk e njohin Republikën e Kosovës, porse vetëm e “mjelin” duke marrë paga të majme si ministra të qeverisë dhe si deputet të kuvendit të Kosovës, atëherë, del krejtësisht e qartë se, edhe “Ligjin për Trepçën” e kontestojnë, e bojkotojnë dhe e cilësojnë juridikisht të pavlefshëm, duke nënvizuar se është miratuar nga “institucione të përkohshme” dhe jolegale të Kosovës, të cilat nuk i njohin as Beogradi e as minoritarët serbë në Kosovë.
Nuk ka më b.v. “Trepça radi, Beograd se gradi”!
Këtë filozofi të politikës shtypëse dhe shfrytëzuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve (1912-1999), shqiptarët, duhet varrosur njëherë e përgjithmonë, sepse “Trepça” është e Kosovës
Vërtet, dikur, edhe në ish-Jugosllavinë e Titos (1945-1990), Trepça ishte një nga prodhuesit më gjignatë të Ballkanit dhe e treta në Europë me prodhimet e saj (ai, argjend, zink, plumb, bakër).
Mirëpo, këtë pasuri të madhe ekonomike sa të gjithë Evropës e shfrytëzonte kryesisht Serbia-Jugosllavia, duke ndërtuar dhe modernizuar (infrastrukturën) industrinë e saj të rëndë dhe të lehtë; inkuadruar me qindra, me mijëra dhe me milionë punëtorë (ndërkaq, Kosova zihej nga papunësia enorme sikurse tani në 16 vitet e fundit në liri, ku mbi 50% ndodhen të papunë dhe jetojnë në varfëri të skajshme për shkak të korrupsionit dhe të kriminalitetit të riorganizuar); duke ndërtuar e modernizuar fabrika, rrugë, sheshe, autostrada, dhjetëra e qindra qye-tete anembanë Jugosllavisë (Serbi, Maqedoni, Mal i Zi, BeH, Sllovenia, Vojvodina, Kroacia).
Ndërkaq, Kosovën e lanë në “mëshirën” e kohës dhe të “ndihmave sociale” të Serbisë, si të vetmin rajon më të pazhvilluar në Jugosllavi dhe në Evropë, edhe pse kishte pasurinë më të madhe të burimeve nëntokësore (minerale dhe metale të çmueshme, siç ishin ari dhe argjendi, ferro-nikeli, thëngjilli, magnezi, boksiti, etj.).
Këtë tragjedi ekonomike, të imponuar nga regjimet kolonialiste serbo-jugosllave (1912-1999), si dhe të mafiozëve të sotëm private, të gjitha qeveritë e Kosovës, nuk duhet përligjur në asnjë formë, sepse si “Trepça”, ashtu edhe gjigantët e tjerë ekonomikë në Kosovë, janë pronë e ligjshme e popullit të Kosovës, jo e Serbisë e as e hajnave dhe matrpazëve privatë të Kosovës, që janë të lidhur dhe bashkëpunojnë, duke zhvilluar transaksione ekonomike dhe tregtare me Serbinë për tjetërsimin dhe për shfrytëzimin e pasurisë së popullit dhe të shtetit të Kosovës.
Pavarësisht nga ankesat dhe nga akuzat e paqëndrueshme të zyrtarëve serbë të qeverisë së Serbisë (presidenti Tomislav Nikoliq, kryeministri Aleksandar Vuçiq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq dhe “emisari” i tyre në Kosovë, Marko Gjuriq…etj.), se për “vjedhjen e pasurisë serbe-Trepçes”, do t’i ankohen BE-së dhe Kombeve të Bashkuara; nga kërcënimi i prishjes së qeverisë së koalicionit (PDK+LDK+Lista srpska) nga Lista serbe, si dhe nga paralajmërimi i bojkotit dhe i braktisjes së qeverisë dhe të kuvendit të Kosovës nga ana ministrave dhe e deputetëve të Listës serbe, qeveria dhe kuvendi i Kosovës nuk duhet t’u nënshtrohen dhe të kapitullojnë nga kërkesat, nga akuzat dhe nga shantazhet provokuese dhe diktuese të Beogradit zyrtar, ashtu sikurse në rastin e përqafimit të “Planit 6 Pikësh” të Vuk Jeremiqit dhe të Ban Ki Moon-it ( sipas të cilit u bë instalimi i EULEX-it në Kosovë, si dhe hapja e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel kinëse në emër të “normalizimit” të marrëdhënieve ndërshtetërore), si dhe në rastin e rikthimit dhe të përfilljes së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (10.06.1999) sipas të së cilës, qeveria e Hashim Thaçit dhe kuvendi i tij i instrumentalizuar pranoi dhe legalizoi rikthimin e një pjese të UNMIK-ut në Kosovë, me gjithë faktin se Kosova ishte pavarësuar më 17 shkurt 2008.
Ky ishte gabimi fatal politik, juridik, kushtetues dhe juridiko-ndërkombëtar i qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi, sepse ia hapi dyert Beogradit, që të përzihet në çështje të brendshme të Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës.
Pa rekomandimin dhe dakord imin e Këshillit të Sigurimit me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Kosova nuk mund bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara!
Për fat të keq, një politikë dhe diplomaci e tillë e gabuar e Prishtinës zyrtare krijoi klimën dhe rrethanat e favorshme për Serbinë dhe për aleatët e saj, që ta kontestojnë dhe ta mohojnë njohjen e Republikës së Kosovës si në kuadrin e BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Greqia), ashtu edhe në atë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku VETO-ja e Rusisë bllokoi njohjen e Kosovës nga ana e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë vështrim, nuk duhet të ushqehemi me me ëndrra, me gënjeshtra, me spekulime dhe me premtime boshe të disa “diplomatëve” dhe “politikanëve” të Kosovës, se gjoja nëse shumica dërrmuese (2/3) e shteteve anëtare AP-së së OKB-së e njohin Kosovën, kjo automatikisht (sipas kësaj procedure votuese), do të fitonte cilësinë e subjektit juridik ndërkombëtar!
–Jo, kjo nuk mund të ndodhë, edhe nëse 129 shtete anëtare të OKB-së e njohin shtetësinë e Kosovës, nëse në Këshillin e Sigurimit ndonjë nga pesë anëtarët me cilësi të përhershme deklaron VETO-n e tij, Kosova nuk mund të jetë anëtare e OKB-së. Pra, shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, se, pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, asnjë shtet nuk mund të fitojë statusin e anëtarit të OKB-së.
Në favor të këtij konstatimi është edhe përmbajtja e Nenit 4 e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku thuhet: “ 1. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është i hapur për të gjitha shtetet e tjera paqësore, të cilat i pranojnë detyrimet që dalin nga kjo Kartë, dhe të cilat, sipas vlerësimit të kësaj Organizate kanë aftësi dhe vullnet t’i zbatojnë këto detyrime. 2 Anëtarësimi i çdo shteti të këtillë në Kombet e Bashkuara, do të bëhet me vendimin e Asamblesë së Përgjithshme në bazë të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit.”
Po ashtu, edhe në rastin më të skajshëm, nëse vjen në shprehje zbatimi i “Procedurës së Asamblesë së Përgjithshme për Pranimin e Anëtarëve të Rinj në Kombet e Bashkuara (Rregulla 137) nëse , Këshilli i Sigurimit nuk rekomandon shtetin aplikues për anëtarësim ose shtyn për më vonë shqyrtimin e aplikimit të tij, Asambleja e Përgjithshme pas shqyrtimit të plotë të raportit special të Këshillit të Sigurimit, mund t’ia kthejë prapa aplikimin me gjithë dokumentacionin e plotë të shqyrtuar në Asamble për shqyrtim, për rekomandim ose për raport të mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit.”
Pra, edhe sipas përmbajtjes së kësaj Procedure, asnjë shtet nuk mund të bëhet anëtar i OKB-së, pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sa më sipër, derisa qeveria e Kosovës të debatojë me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2012-2016) në frymën e “Planit 6 Pikësh” të Vuk Jeremiqit dhe të Banik Ki Moon-it (të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, më 28 nëntor 2008), si dhe, duke marrë për bazë Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila e mohon pavarësinë e Kosovës (17 shkurt 2008), Kosova nuk do të ketë asnjë gjasë, që të jetë anëtare e OKB-së sikurse 193 vende-anëtare të tjera të saj, pavarësisht nga premtimet dhe nga spekulimet e rren-cave dhe të matrapazëve të politikës dhe të diplomacisë nepotiste dhe provinicialiste të saj, të cilët si rrjedhim i karrierizmit dhe i injorancës së tyre kanë hapur një kaptinë të re-shtesë për “rishqyrtimin” e statusit politik dhe juridik ndërkombëtar të Kosovës, duke e bërë pikëpyetje për të gjitha ata vende, të cilat, deri tani nuk e kanë njohur pavarësinë, sepse ende po bisedohet me serbët në Bruksel.
Ky është absurdi më i madh politik, që i ka vënë në dilemë shumë shtete të bashkësisë ndërkombëtare: është Kosova shtet i pavarur sovran, apo “është territor i Serbisë”. Natyrisht se, në këtë kontekst ka edhe faktorë dhe interesa të tjera të shteteve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që po ndikojnë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, faktori kyç-fatal, që po shkakton konfuzion dhe paqartësi te shumë shtete, është dialog-imi me Serbinë në Bruksel; prania e EULEX-it dhe e UNMIK-ut në Kosovë, në bazë të “Planit 6 Piksh” dhe të Rezolutës 1244 i KS të Kombeve të Bashkuara, të cilat para botës e kanë vënë në pikëpyetje statusin e pavarësisë së Kosovës ngase janë në kundërthënie me institucionin e sovranitetit të saj sipas së drejtës ndërkombëtare.
Pra, derisa Këshilli i Sigurimit nuk e ndryshon Rezolutën 1244 (10.06.1999) dhe derisa të vazhdojë Dialogu i Brukselit (21012-2016),Beogradi vazhdimisht dhe me agresivitet, do ta shantazh-ojë Kosovën, duke ia mohuar shtetësinë dhe sovranitetin e saj, duke u mbështetur në këtë Rezolutë, të cilën de jure nuk mund ta shfuqizojë Kuvendi i Kosovës, por vetëm miratuesi i saj, që e ka votuar atë,d.m.th. vetëm KS i Kombeve të Bashkuara, askush tjetër.