Tri padi për shpifje u dorëzuan në shtator ndaj Kusari-Lilës lidhur me deklaratat gjatë fushatës zgjedhore

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Tri padi për shpifje janë ushtruar ndaj kandidates për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, për disa deklarata që pretendohet se e njëjta i ka bërë gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021.

“Betimi për Drejtësi” i ka siguruar të tri paditë që janë parashtruar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, gjatë muajit shtator të këtij viti.

Dy padi për shpifje dhe fyerje janë parashtruar nga ish-zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, ndërsa një padi për shpifje dhe fyerje është parashtruar nga shefi i zyrës së burimeve njerëzore në Komunën e Gjakovës, Kushtrim Brahimaj.

Në padinë e parë, Bakija-Deva po pretendon se Kusari-Lila, më 25 shtator 2021, në emisionin “Contex” në ATV, ka dhënë deklaratë të pavërtetë publike dhe atë ndër të tjera në rrjedhë të fjalës së saj ka thënë se: “Për shkak të dhënies së lejeve eksponentes së Aleancës, gjegjësisht ish-zëvendësministres Znj. Buqe Bakija, e cila ka ndërtuar aty ku s’është dashtë dhe në kundërshtim me planin”.

Tutje sipas padisë, këto pretendime të Kusari-Lilës janë të pabazuara dhe të paargumentuara, ashtu që e njëjta me tendencë tenton që paditësen ta paraqesë si të padenjë dhe të korruptuar, si kundërshtare politike për përfitimet e saj në fushatë zgjedhore.

Për këto, e njëjta po pretendon se ajo ka vepruar në kundërshtim me Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, duke kërkuar kështu kompensim të dëmit moral.

Ndërsa, në padinë e dytë të parashtruar nga Bakija-Deva, thuhet se Kusari-Lila në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, ka dhënë deklaratë të pavërtetë publike.

Sipas padisë, Kusari-Lila ka thënë: “Vizita tek Garazhi i Autobusëve në Gjakovë vë në pah keqpërdorimin sistematik të AAK-së me pronën publike në Komunën e Gjakovës. Ky aset i komunës për pak sa nuk u tjetërsua nga qeverisja në largim për t’u shfrytëzuar për ndërtime të larta sikur edhe prona në afërsi të garazhit. Dallimi përmbajtësor në mes të dy qeverisjeve është pamja e lokacionit ku është ndërtuar “Handikos” në qeverisjen time, pra prona publike është përdorur për qëllim publik, atë të personave me aftësi të veçanta. Përderisa prona në afërsi të saj është transformuar nga publike në atë private dhe aty sot ndërton ish-zëvendësministrja e AAK-së”.

Për këtë, e njëjta po pretendon se ajo ka vepruar në kundërshtim me Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, duke kërkuar kështu kompensim të dëmit moral, shumën e të cilës do ta caktojë gjykata.

Ndërsa, shefi i zyrës së burimeve njerëzore në Komunën e Gjakovës, Kushtrim Brahimaj, po pretendon se Kusari-Lila ka shpifur ndaj tij më 16 shtator 2021, në emisionin “Prime Time” të Kanal10.

Sipas kësaj padie, Kusari-Lila citohet të ketë thënë: “Udhëheqësi i sektorit të resurseve njerëzore është personi i cili absolutisht nuk e pyet Z.Gjinin, është udhëheqja-lidhja direkte me Aleancën diku, edhe janë ata që vendosin drejtpërsëdrejti se kush punësohet. Ai që aktualisht është udhëheqës i resurseve njerëzore e ka edhe të përcaktuar tarifën, edhe i ka të përcaktuar kriteret se kë e merr në punë, si e merr në punë, e Z.Gjini e di”.

Kjo deklaratë thuhet se e ka dëmtuar rëndë reputacionin dhe integritetin personal e familjar të Brahimajt, duke ditur faktin e veprimtarisë politike dhe zyrtare që paditësi ushtron.

Paditësit i kanë propozuar gjykatës që të nxjerrë urdhëresë gjyqësore, me anë të së cilës Kusari-Lila do të urdhërohej që të njëjtëve t’iu kërkojë falje publikisht, duke i demantuar ato deklarata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme