Më 1 mars 2015 për herë të parë në historinë e Lëvizjes Vetëvendosje u ndërrua udhëheqësi i saj.
Themeluesi i kësaj lëvizje, Albin Kurti, ia lëshoj rrugën Visar Ymerit, për të marrë udhëheqjen e partisë duke “pretenduar” kështu demokraci të brendshme, mirëpo sot, gati tre vjet pas, ky vendim i Kurtit po del të jetë problemi kryesor.
Visar Ymeri e Dardan Molliqaj, dikur bashkëpunëtorët më të mirë të Kurtit, nuk po e ‘përkrahin’ kandidimin e tij për kryetar të partisë.
Përderisa Kurti po qëndron në burg, të “fortit” me vota të partisë nuk po e mbështesin si zakonisht. Kryetari Visar Ymeri, ish-sekretari Dardan Molliqaj e gruaja më e votuar e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, edhe publikisht kanë deklaruar se problemet në këtë parti janë të mëdha.
Sot Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje i ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë me asnjë votë kundër, ani pse në një intervistë të para disa ditëve, Visar Ymeri kishte deklaruar se ende nuk është koha që të thirret mbledhja e këtij këshilli.
Me Visar Ymerin kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo e fundit u dyfishua edhe në zgjedhjet parlamentare edhe në ato lokale që u mbajtën brenda këtij viti.
Përderisa me Albin Kurtin kryetar, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 2014 kishte marrë më pak se 100 mijë vota, tre vite pas me Visar Ymerin kishte marrë mbi 200 mijë vota. Megjithatë, në dy këto palë zgjedhje, kandidat për kryeministër kishte qenë Albin Kurti, ani pse herë si kryetar e herë si anëtar i Vetëvendosjes.
Vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta kandiduar Albin Kurtin për kryeministër, kishte qenë rasti i parë në Kosovë ku nuk kandidohet kryetari i partisë por dikush tjetër, e pastaj e bëri edhe LDK-ja me partnerët e koalicionit në momentet e fundit, duke nxjerr Avdullah Hotin pretendent për të parin e Qeverisë.
Në zgjedhjet lokale të 2013, derisa Kurti ishte udhëheqës i Vetëvendosjes, kjo e fundit arriti të fitojë vetëm Komunën e Prishtinës, madje me ‘ndihmën’ e të gjitha partive politike në Prishtinë, me të vetmin qëllimin: rrëzimin nga pushteti i përhershëm i LDK-së në kryeqytet.
Ndërsa në zgjedhjet e tetorit të 2017, Vetëvendosje nga një komunë sa e udhëhiqte, fitoi tri, duke fituar kështu në ‘Jerusalemin’ e PDK-së, në Prizren dhe në qytetin e vogël të Kamenicës, si dhe duke u rikonfirmur udhëheqjen në Prishtinë.
Megjithatë, në një intervistë të dhënë para disa ditëve, ish-sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, i treti më i votuari kësaj partie, Dardan Molliqaj, kishte deklaruar se Visar Ymeri kishte qenë kryetar konsensual dhe se vendimin për të dal kandidatë e kishte marrë vet ai së bashku me Kurtin e 2-3 persona tjerë. Pra, Visar Ymeri ishte kryetar që erdhi në krye të partisë pa asnjë kundërkandidat dhe me një konsensus të disa personave.
Përçarja e Vetëvendojes po ndodhë pikërisht brenda mandatit të tij.
Ymeri që tentonte të jetë unifikuesi i partisë, sot po del të jetë më i ‘pakënaquri’. I njëjti refuzoj të merr pjesë edhe më mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, e i cili u arsyetua nga nënkryetar Dardan Sejdiu, se është jashtë vendit.
Gjatë mandatit të Visar Ymerit, Vetëvendosje që ishte në opozitë kishte pasur një ‘bashkëjetese parlamentare’ me AAK-në dhe Nismën në kundërshtim të marrëveshjes së Demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Sot, këto dy parti po bashkëqeverisin me ata të cilët ishin në pushtet kur këto dy marrëveshje u arritën.
Sot gjatë ditës u publikua një letër e hapur e Albin Kurtin që u shkrua nga burgu, ku ai po qëndron për gati tre javë. Në ‘deklarimin’ e tij, Kurti thotë se e ‘fal’ deputeten Aida Dërguti, por pati edhe fjalë për ata që i kanë humbur privilegjet.
“Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi”, thuhet në letrën e Kurtit të publikuar sot gjatë ditës.