Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau ka premtuar se do ta mbështesë Ukrainën nga agresioni rus, pas takimit që pati me presidentin e Ukrainës Volodimir Zelensky në Toronto.
Zelensky ishte në vizitën e tij të parë në Amerikën e Veriut ku shkoi për të marrë pjesë në një konferencë mbi reformat e Ukrainës.
“Pas agresionit rus dhe përpjekjeve për të minuar sovranitetin e Ukrainës, duke përfshirë aneksimin e paligjshëm të Krimesë, është më e rëndësishme për vendet si Kanadaja që të qëndrojnë së bashku me partneret e saj”, tha Trudeau gjatë një konference shtypi me Zelenskyn, shkruan Al Jazeera.
“Veprimet e Rusisë nuk janë vetëm kërcënim për Ukrainën, por për të drejtën ndërkombëtare”.
Konferenca, e cila përfundon të enjten, sjell së bashku përfaqësues nga 30 vende, Bashkimi Evropian (BE) dhe organizata ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe NATO.