Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar të martën Kinën për tentim të ndikimit në zgjedhjet për Kongres, që mbahen në muajin nëntor në Shtetet e Bashkuara.
Ky supozim ka shtuar një element tjetër shpërthyes në konfliktin mes dy shteteve, pasi Trump ka njoftuar të hënën vonë për vënie të tarifave prej 10 për qind në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve duke nisur nga java e ardhshme.
Përveç tyre, Trump ka kërcënuar me tarifa shtesë nëse Kina vendos të hakmerret.
Pekini në anën tjetër ka njoftuar të martën se do të vendosë tarifa në mallrat amerikane në vlerë të 60 miliardë dollarëve.
Në një seri postimesh sulmuese nga ana e Trumpit, republikanët e të cilit rrezikojnë të humbin kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit, ka akuzuar Kinën për zgjerim të fushës së hakmarrjes, duke përmendur zgjedhjet.
“Kina ka treguar hapur se është duke tentuar të ndikojë dhe ndryshojë zgjedhjet, duke sulmuar bujqit tanë dhe punëtorët industrialë për shkak të besnikërisë të tyre ndaj meje”, ka thënë Trump.
“Kina ka qenë në përparësi ndaj Shteteve të Bashkuara në aspektin e tregtisë për shumë vjet”. Ata po ashtu e dinë se unë jam ai që di si t’i ndalojë”, ka deklaruar presidenti amerikan.
Mirëpo Trump nuk e ka bërë të ditur se cilave deklarata të hapura të Kinës u është referuar.