Trump do të nënshkruajë urdhër ekzekutiv për reformat policore

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Donald Trump planifikon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për rritjen e fondeve, me qëllim të ofrimit të trajnimeve më të mira për zyrtarët policorë sa i përket përdorimit të forcës.

Aty përfshihet edhe krijimi i një databaze federale për të gjurmuar sjelljen e keqe të këtyre zyrtarëve.

Ky urdhër, që do të nënshkruhet më 16 qershor, vjen teksa në një numër qytetesh dhe shtetesh kanë nisur të aplikohen masa të reja, si përgjigje ndaj protestave masive, të nxitura nga vdekja e afrikano-amerikanit, George Floyd.

Floyd ka vdekur pas presionit që i është bërë në qafë me gju nga një zyrtar policor, derisa ai ka qenë në mbajtje.

Megjithatë vendimi pritet të mos përmbushë pritjet e pjesëtarëve të Lëvizjes, Jeta e Njerëzve me Ngjyrë ka Vlerë, dhe aktivistëve tjerë, të cilët kanë kërkuar ndryshime rrënjësore të sistemit të drejtësisë penale.

“Qëllimi kryesor është që në dëshirojmë ligj dhe rregull, dhe duam që kjo gjë të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të sigurt”, ka thënë Trump.

Urdhri ekzekutiv i presidentit vjen teksa Kongresi çon përpara një projektligj më të detajuar rreth reformave policore në nivel federal, ani pse Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët është duke punuar në një projekt të veçantë nga ai i Senatit, të kontrolluar nga republikanët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme