Trump fal ish-këshilltarët Stone dhe Manafort

Prishtinë | 24 Dhj 2020 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Donald Trump ka falur ish-menaxherin e fushatës së tij për president, Paul Manafort, ish-këshilltarin Roger Stone dhe vjehrrin e djalit të tij, Charles Kushner.

Manafort është dënuar më 2018 në hetimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Trump paraprakisht ka ndryshuar edhe dënimin me burgim për Stone, i cili është dënuar se ka gënjyer Kongresin.

Ata janë në mesin e 29 personave që kanë përfituar nga e drejta e Trumpit për falje, para se të largohet nga zyra e presidentit.

Njëzetegjashtë prej tyre kanë fituar falje të plotë të mërkurën mbrëma, derisa tre të tjerëve u janë ndryshuar dënimet.

Ndryshimi i vendimit zakonisht vetëm zvogëlon kohën e qëndrimit në burg, mirëpo nuk largon tërësisht dënimin.

Falja është mundësi që i ofrohet presidentit, përmes së cilës të falurit i kthehen disa privilegje sikurse e drejta për të votuar sërish.

Presidentët zakonisht bëjnë publike vendimet për falje në ditët e fundit të udhëheqësisë.

Trump e ka shfrytëzuar këtë mundësi më pak sesa secili president amerikan i historisë moderne, përveç ish-presidentit, George H.W Bush.

Si ka reaguar Paul Manafort?

Falja e Trumpit e ka kursyer ish-menaxherin e fushatës së tij nga shtatë vjet e gjysmë burg për mashtrime financiare dhe komplot për të penguar hetimet për veten.

Ai ka qenë duke kryer mandatin e tij nga shtëpia prej kur është liruar nga burgu federal në muajin maj për shkak të frikës për koronavirus, mirëpo tani është njeri i lirë.

Punëtori mirënjohës politik është përgjigur përmes një postimi në Twitter:

“Zoti president, familja ime dhe unë ju falënderojmë për Faljen Presidenciale që më dhurove. Fjalët nuk mund të përshkruajnë sa mirënjohës jemi”.

Po Roger Stone?

Stone është shpallur fajtor për gënjim të Kongresit rreth përpjekjeve të tij për të kontatuar uebfaqen Wikileaks, e cila ka publikuar emaila që kanë dëmtuar rivalen demokrate të Trumpit më 2016, Hillary Clinton.

Të mërkurën mbrëma, miku dhe këshilltari i Trumpit për kohë të gjatë, ka mirëpritur këtë lajm për ndryshim të vendimit që ekziston për të.

Ai ka thënë se ka qenë viktimë e “gjykimit të stilit sovjetik me akuza të motivuara politikisht”, ka raportuar Politico.

Stone i ka bërë thirrje Trumpit, që ka edhe pak ditë në Shtëpi të Bardhë, që të falë edhe themeluesit e faqes Wikilekas, Juluan Assange dhe Edward Snowden, i cili ka publikuar sekrete të Agjencisë për Siguri Kombëtare.

Cili ka qenë reagimi i Charles Kushner?

Falja tjetër ka shkuar për Charles Kushner, manjat i patundshmërive, i cili është babai i burrit të Ivanka Trumpit, Jared Kushnerit.

Ky i fundit është këshilltar në Shtëpinë e Bardhë.

Kushner – familja e të cilit ka në dosje rreth 20,000 prona nga Nju Jorku në Virxhinia – është dënuar me dy vjet burgim më 2004 për shmagie të taksave, krime financiare dhe ndërhyrje te dëshmitarët.

Akuza për ndërhyrje te dëshmitarët ka ardhur si rezultat i kërcënimit për hakmarrje që ka bërë Kushner ndaj dhëndrrit të tij, që ka qenë duke bashkëpunuar me autoritetet kundër tij.

Kushner ka paguar një prostitutë për ta joshuar dhëndrrin e tij, e ka incizuar me kamera të fshehura dhe ia ka dërguar materialin motrës së tij.

Si kanë reaguar politikanët amerikanë?

Adam Schiff, udhëheqës i demokratëve në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve ka thënë përmes Twitterit:

“Gjatë hetimeve të Muellerit, avokati i Trumpit ka lënë mundësinë e faljes për Manafortin. Manafort është tërhequr nga bashkëpunimi me prokurorët, ka gënjyer, është dënuar dhe më pas Trump e ka falëndëruar pse nuk ka ‘tradhtuar’”.

“Falja e Trumpit tani kompleton skemën e korrupsionit. Të paligjshëm deri në pikën e fundit”, ka thënë Schiff.

Ndërkohë, senatori i parë republikan që ka kritikuar vendimin e Trumpit ka qenë Ben Sasse.

Ai ka thënë përmes një deklarate se “të dënuarit nga shteti sikurse Manafort dhe Stone”, kanë shkeluar vazhdimisht ligjin dhe kanë dëmtuar amerikanët”.

“Kjo gjë është e kalbur në themel”, ka thënë mes tjerash ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme