Trump kërkon miratimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

“Me miratimin e plotë të protokollit në fjalë do të bëhet i mundur anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO”, tha Trump.

Në një letër dërguar Senatit, presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka kërkuar miratimin e protokollit përkatës që parashikon anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar letrën që Trump i ka dërguar Senatit për Maqedoninë e Veriut.

Trump në letrën e tij duke iu referuar tekstit të pranimit që u nënshkrua nga SHBA-të dhe të gjitha vendet anëtare të NATO-s në Bruksel më 6 shkurt ka thënë: “Paraqes për miratim nga Senati protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO”.

“Me miratimin e plotë të protokollit në fjalë do të bëhet i mundur anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO”, tha Trump duke shtuar se “Maqedonia e Veriut është një partner i domosdoshëm i sigurisë për SHBA-të dhe anëtarësimi i saj në NATO do të sigurojë drejtpërdrejt interesat strategjike të SHBA-ve dhe Aleancës së NATO-s”.

– Protokolli u nënshkrua më 6 shkurt

Protokolli në fjalë u nënshkrua në një ceremoni të mbajtur më 6 shkurt në selinë e NATO-s në Bruksel nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov. Në ceremoni morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe 29 përfaqësues të përhershëm të Aleancës.

Për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO është e nevojshme që protokolli i anëtarësimit të miratohet në parlamentet e të gjitha vendeve anëtare si dhe duhet të përfundojnë disa procedura zyrtare. Nga kjo pikëpamje, dërgimi i protokollit në fjalë nga administrata amerikane për miratim në Senat shihet si një hap i rëndësishëm.

Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia e Veriut do të ftohet në takimet e NATO-s. /AA

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme