Trump: Në Afganistan jemi që t’i vrasim terroristët

Prishtinë | 22 Gus 2017 | 10:24 | Nga

Duke paralajmëruar dërgimin e ushtarëve shtesë në Afganistan, Donald Trump thotë se SHBA nuk janë atje që të ndërtojnë demokracinë

Trump ka miratuar rritjen e numrit të ushtarëve amerikanë në Afganistan. Në një deklaratë për publik Trump ka premtuar “luftë deri në fitore”.

Njëkohësisht, talibanët pohojnë se “Afganistani do të shndërrohet në “varrezë për amerikanët”.

Ai ka porositur se qasja e tij e re ka për qëllim parandalimin që Afganistani të bëhet bastion i grupeve të armatosura që kanë për qëllim sulme në Shtetet e Bashkuara.
“Kam përfunduar se ekzistojnë kërcënime të mëdha të sigurisë me të cilat ballafaqohemi në Afganistan dhe në rajonin e gjerë”, ka thënë presidenti amerikan.
Ai ka shtuar se nuk po e dërgon ushtrinë në Afganistan të “ndërtojë demokracinë në këto vende të largëta apo të krijojë demokraci siç është e jona”.

“Nuk do të ndërtojmë përsëri kombet. Do t’i vrasim terroristët”, ka thënë ai, transmeton Gazetametro.net.

Trump, i cili shumëherë i ka kritikuar strategjitë për Afganistanin të paraardhësve të vet, i ka trashëguar sfidat e njëjta, duke përfshirë paraqitjen e sërishme të talibanëve dhe qeverinë e dobët në Kabul.

Trump nuk ka përmendur se sa ushtarë do të dërgohen si përforcim në Afganistan e as afatin kohor për përfundimin e pranisë së SHBA në Afganistan. Mirëpo, zyrtarët kanë kumtuar se ai ka nënshkruar kontratë me ministrin e Mbrojtjes James Mattis mbi planin e dërgimit të së paku 4.000 ushtarëve shtesë që t’i bashkëngjiten 8.400 ushtarëve të cilët tashmë janë të vendosur në Afganistan.

Nga ana tjetër, talibanët kanë paralajmëruar se Afganistani do të bëhet “varrezë” për SHBA.

“Nëse Amerika nuk i tërheq ushtarët e vet nga Afganistani, së shpejti Afganistani do të bëhet edhe një varrezë për këtë superfuqi në shekullin e 21”, ka theksuar zëdhënësi i talibanëve Zabiullah Mujahid, në kumtesën të cilën e transmeton AFP.
“Derisa në vendin tonë do të jetë edhe një ushtar amerikan dhe SHBA vazhdojnë me luftë, ne do të vazhdojmë me xhihadin tonë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme