Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën shkon në Vatikan, për t’u takuar me Papa Françeskun.
Kjo do të jetë ndalesa e fundit e tij në njërën prej qendrave të tre feve monoteiste. Dy të parat, Arabia Saudite dhe Izraeli ishin të mbushura me simbolizëm, ceremoni dhe histori.
Arabia Saudite i rezervoi një pritje madhështore presidentit amerikan, i cili zgjodhi qendrën e islamizmit si ndalesën e parë të udhëtimit të tij jashtë vendit. Në Izrael, ai vuri në kokë jarmulkën hebraike, kur preku Murin Perëndimor në Jeruzalem.
Pastaj, ndërsa kishte në krah kryeministrin Benjamin Netanyahu, ai foli me shpresë për mundësinë e një marrëveshje paqeje mes feve.
“Kam dëgjuar se kjo është një prej marrëveshjeve më të vështira të të gjitha kohërave. Por unë kam ndjesinë se kemi për ta realizuar”, tha Presidenti.
Vizita në Vatikan, ndryshe nga vizitat në Lindjen e Mesme, lidhet më tepër me pajtimin. Ky takim është në plan të zgjasë për më pak se një orë. Pastaj Presidenti Trump shkon në Bruksel, për t’u takuar me udhëheqësit e NATO-s dhe më pas në Sicili, për takimin e G7-ës, ndalesa e fundit e udhëtimit të tij 9-ditor jashtë vendit.