Trump: Sulmi i Coronavirusit, më i rëndë se ai i 11 shtatorit dhe në Pearl Harbor

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkruar pandeminë e coronavirusit si “sulmin më të rëndë” që ndonjëherë është bërë mbi Shtetet e Bashkuara, duke akuzuar sërish Kinën për këtë.

Trump tha se epidemia e ka goditur më rëndë SHBA-në sesa bombardimet e forcave japoneze mbi Pearl Harbor gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo edhe sulmet terroriste të 11 shtatorit mbi kullat binjake dhe Pentagon, dy dekada më parë.

“Është më keq se Pearl Harbor, më keq se sulmi mbi kullat binjake. Kurrë nuk ka pasur një sulm të tillë si ky tani”, ka deklaruar Trump para gazetarëve në dhomën ovale.

Sipas tij një gjë e tillë nuk është dashur kurrë të ndodhë, pas që virusi është dashur të luftohet në vendin ku ka shpërthyer – në Kinë, raporton BBC.

I pyetur nga gazetarët nëse pandeminë e konsideron si një akt të vërtetë lufte, Trump tha se virusi është armiku i Shteteve të Bashkuara.

“Armikun e padukshëm (coronavirusi) e shoh si luftë. Nuk më pëlqen si ka arritur këtu sepse ka mundur të ndalet, dhe nuk është bërë”, ka shtuar Trump.

Kujtojmë që me coronavirus në SHBA janë infektuar 1.2 milion amerikanë, kurse jetën e kanë humbur afro 75 mijë tjerë.

Të ngjashme