Presidenti i SHBA-së ka shokuar sërish komunitetin e mjekëve me komentet e fundit për koronavirusin.
Idetë e tij për luftimin e COVID-19, ekspertët i kanë quajtur të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.
Trump në konferencën e fundit, sugjeroi që injektimi i një dezinfektuesi si alkooli izopropyl në trup mund të vriste koronavirusin, gjë që vet mjeku eksperti mjekësor në konferencë e mohoi, shkruan “The Guardian”.
Ekspertët amerikanë kanë zbuluar se virusi humbet fuqinë kur i ekspozohet diellit dhe lagështisë, derisa këtë e prezantuan para publikut në konferencë.
“Po mendojmë të godasim trupin me rreze të mëdha UV ose me ndonjë rrezatim tjetër të fuqishëm”, tha Trump, teksa iu drejtua dr. Deborah Birx, koordinatores së Shtëpisë së Bardhë për luftën kundër koronavirusit. Më pas Trumpi shtoi: “Mendoj se thatë që këtë nuk e keni provuar ende, por se do ta testoni”.
Më pas Trump propozoi edhe diçka tjetër.
“Kam parë se si mjetet dezinfektuese po e shkatërrojnë virusin në minutë. A ekziston ndonjë mundësi që përmes injektimit dezinfektuesi të mbërrijë deri në mushkri. Do të ishte interesante të konfirmohej”, tha Trump.
Presidenti amerikan më pas pyeti dr. Birx nëse ka dëgjuar për trajtim të pacientëve me koronavirus me nxehtësi dhe ajër.
“Jo si trajtim. Mendoj se temperatura është gjë e mirë, i ndihmon trupit të përgjigjet ndaj sëmundjes. Por ende nuk kam parë që të luftohet koronavirusi me nxehtësi dhe ajër”, tha dr. Birx.
Ekspertët mjekësorë në të gjithë SHBA-në u tronditën nga sugjerimi i fundit i Trumpit. Mes tyre është pulmologu dr. Vin Gupta.
“Ideja për të injektuar çdo lloj produkti pastrues në trup është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme. Është një metodë e njohur që njerëzit përdorin kur duan të vrasin veten”, tha ai për NBC.
Kashif Mahmood, një mjek nga Charlestoni, shkroi në Twitter: “Si mjek, unë nuk mund të rekomandoj injektimin e një dezinfektuesi në mushkëritë tuaja ose përdorimin e rrezeve UV për të trajtuar koronavirusin. Mos i dëgjoni këshillat mjekësore të Trumpit”.
Më herët, Trump sugjeroi përdorimin e hydroxychloroquines dhe azithromycinit së bashku, gjë që në shumë vende edhe nisi të përdorej, por deri më tash nuk ka të dhëna shkencore se kjo ndihmon luftimin e COVID-19.