Baleti Kombëtar i Kosovës është prezantuar me shfaqjet “Xhuljeta pa Romeon” dhe “Dasma”, në edicionin e sivjetmë të “Mozart Festival” në Bullgari dhe ka marrë vëmendje të madhe nga mediat në këtë vend, njofton Klan Kosova.
Dy shfaqjet e trupës kosovare të baletit janë shikuar me vëmendje dhe janë transmetuar edhe në televizionet bullgare.
Shfaqjet e përzgjedhura kanë pasur për qëllim prezantimin e asaj çka ka ndodhur me shqiptarët e Kosovës dhe përballja me vështirësitë e luftës.
Shfaqja “Xhuljeta pa Romeon” i kushtohet të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa shfaqja “Dasma” flet për një dashuri mes dy të rinjve të cilët i përkasin dy kombeve të ndryshme e ku dashuria e tyre pengohet”
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, në një intervistë të tij në Bullgari, ka treguar sa e vështirë ka qenë për kosovarët krijimi nga e para i baletit të Kosovës, ndërsa Vjollca Llugiqi, ka treguar për vështirësitë dhe dhimbjet e popullit të Kosovës gjatë luftës dhe se si kjo përvojë tashmë rikujtohet përmes artit në forma të ndryshme.