Trusti bën të ditur mënyrën e aplikimit për tërheqje të kursimeve

Prishtinë | 04 Dhj 2020 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka bërë të ditura të premten mënyrën e aplikimit për tërheqje të 10 për qind të kontributeve personale, pas miratimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ky institucion ka thënë se procesi i aplikimit për tërheqje të këtyre mjeteve do të bëhet pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Të gjithë kontribuuesit do të mund të aplikojnë vetëm përmes internetit, nga një uebfaqe e veçantë si dhe aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari aktive personale dhe jo të ndonjë familjari tjetër.

Aplikimi po ashtu është thënë se nuk mund të bëhet me llogari bankare jashtë shtetit apo me llogari bankare të biznesit.

Përndryshe, projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që mundëson tërheqjen e këtyre mjeteve është miratuar të lexim të dytë në Kuvend me 72 vota për dhe asnjë kundër

Ky projektligj, i cili shndërrohet në ligj pas dekretimit të presidentit të Kosovës, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike krijon një momentum të ri në Kosovë.

“Jemi plotësisht të përgatitur që të fillojmë zbatimin e këtij ligji menjëherë, pasi që janë bërë përgatitjet nëpër ministri përkatëse, në Trustin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që para vitit të ri, pjesa më e madhe e këtyre fondeve të futen në ekonomi dhe buxhetin e familjes, me shpresë që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të shpërndajmë këtë pjesë dhe të kthehemi në normalitet në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Hoti.

https://www.facebook.com/TrustiPensional/posts/3589619091125091
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme