Një ndër komandantët më të shquar të UÇK-së,Ramush Haradinaj,është i arrestuari i radhës, nga një vend anëtar i BE-së me porosi të Beogradit.
Ka 12 vjet që po përsëritet ky ritual-prokuroria serbe urdhëron, organet kufitare të shteteve anëtare të BE-së, veprojnë. Rasti i fundit është edhe me flagranti. Për akuzën e krimeve të luftës që Beogradi ka ngritur kundër Haradinajt, ai është gjykuar dhe shpallur dy herë i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.
Dihet që Serbia dhe sponsori i saj, Rusia kanë rezerva serioze ndaj kësaj Gjykate dhe, në këtë kontekst, ato i kanë dënuar vendimet e saj për Ramush Haradinajn. Po vendet anëtare të BE-së, si Franca, Sllovenia, Hungaria etj, a i njohin ato?
Nga Serbia dhe Rusia, si kundërshtaret më të vendosura të pavarësisë së Kosovës edhe priten urdhërarreste për çlirimtarët tanë. Po vendet anëtare të BE-së që kontribuuan, jo pak, për çlirimin e Kosovës, pse i zbatojnë ato vendime?
Me siguri, Ramush Haradinaj do të lirohet së shpejti, ashtu siç është vepruar në rastet e arrestimeve të mëparshme, të paligjshme. Çështja është, deri kur do të lejohet Beogradi të luajë si t’i teket me çlirimtarët e Kosovës.
Prishtina i ka instrumentet e veta për t’u dhënë fund këtyre tekave. Një instrument i tillë është dialogu Kosovë-Serbi. Shfuqizimi i urdhërarrestit të prokurorisë serbe të vitit 2004 duhet të futet në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi për vitin 2017.
Nëse çështje të kësaj natyre nuk zgjidhen nëpërmjet këtij instrumenti, vetë ideja e dialogut midis këtyre dy shteteve, komprometohet keq.
(Islam Lauka)