Tuneli i Krrabës i ka rezistuar më së miri tërmetit të fortë me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter të mëngjesit të 26 nëntorit.
Inxhinierët e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) së bashku me inxhinierët e kompanisë kontraktore inspektuan tunelin e Krrabës për të verifikuar pasojat e tërmetit.
“Mbas inspektimit, u konkludua se në tunel nuk ka asnjë problem shqetësues për përdoruesit e tij”, konfirmoi për ATSH-në Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Funksionimi i tij, bëri të ditur ARRSH, vazhdon normalisht, pa asnjë ndërprerje dhe në përputhje të plotë me projektin e menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së tij.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se nga ana konstruktive tunelet e mëdhenj në Shqipëri, konkretisht ai i Thirrës dhe Krrabës janë llogaritur, sipas EUROCODE-ve për përballimin e tërmeteve epiqendra e të cilëve mund të jetë direkt pranë tunelit dhe me magnituda edhe më të mëdha se tërmeti i datës 26 nëntor/ATSH.