Disa orë para ndeshjes së botërorit “Rusia 2018” ndërmjet Kolumbisë e Anglisë në Moskë, një turne tjetër i futbollit po zhvillohej në Sheshin e Kuq të kryeqytetit rus.
Nuk kishte dramë të penalltive, por turneu me pesë lojtarë që po mbahej jashtë mureve të Kremlimit përballi ekipet e refugjatëve dhe u pa si një festë e diversitetit, që vjen me ndihmën e futbollit, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Mbi të gjitha, ishte një mesazh i fortë për Kremlinin sa i përket politikës kufizuese të azilit në Rusi.
Disa prej lojtarëve të këtij turneu kanë ikur nga konfliktet në Afrikë e në Lindjen e Mesme, derisa të tjerët ishin futbollistë aspirues nga vendet afrikane që ishin trafikuar në Rusi me premtimet për kontrata për të bërë karrierë në këtë sport. Njëri prej tyre ishte Joshua Olumide, një 18-vjeçar nga Nigeria, i cili zbuloi se babai i tij kishte marrë kredi për të paguar një person që kishte premtuar kontratë me një klub evropian për të birin.
Joshuas mashtruesi ia dha edhe një ID të tifozëve, dokument që lejonte udhëtimin pa viza në Rusi gjatë kohës së Kampionatit Botëror dhe i tha se do të takoheshin në aeroportin e Moskës.
Mirëpo, askush nuk doli ta takonte Joshuan dhe një nigerian tjetër pasi mbërritën në Moskë. Ata i kaluan pesë ditë në aeroport kurse tashmë po jetojnë në një strehimore të improvizuar në Rusi ku po përpiqen të bëjnë para për biletë kthimi në shtëpi.