Policia turke ka bërë të ditur se të paktën 51 militantë të dyshuar të të ashtuquajturit Shteti Islamik janë arrestuar.
Në një deklaratë të lëshuar nga policia turke thuhet se njësiti anti-terrorizëm bastisi 16 vende të ndryshme në qytetin e Stambollit, kështu duke arrestuar të dyshuarit që sipas policisë janë ‘luftëtarë të huaj’.
“Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të huaj “, thuhet në deklaratën e policisë, duke mos cekur se nga cilat shtete janë të dyshuarit.
Të gjithë të dyshuarit planifikonin të udhëtonin në “zonat e konfliktit”.
Turqia ka pësuar një sërë sulmesh vdekjeprurëse nga militantët e IS-it, kështu duke përfshirë edhe sulmin e vitit të ri në një klub nate në Stamboll në fillim të vitit 2017, në të cilin janë vrarë 39 vetë.