Marrëveshja për refugjatët që lidhi para një viti BE me Turqinë kritikohet nga shumë palë. Kjo ndodh kur janë të nevojshme më shumë marrëveshje të tilla, mendon Jasper von Altenbockum nga Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Përveç lidhjes së një marrëveshjeje midis BE dhe Turqisë nuk kishte rrugë tjetër. Kryengritja e komunave në Gjermani përballë palestrave të tejmbushura me refugjatë dhe armiqësisë në rritje ndaj të huajve bëri që disa ditë pas “hapjes së kufirit” në shtator 2015, Angela Merkeli t’i sigurojë përfaqësuesit e tyre në Zyrën Kancelarore: “Çelësi është në Turqi”. Ishte fillimi i strategjisë për ta paraqitur hapjen e kufijve si të pandryshueshme, por që njëkohësisht të bëhej përpjekje që kufirin ta kalonte vetëm një pjesë e vogël e njerëzve që patën arritur në Gjermani në 2014 dhe 2015.
BE nuk i ka bërë ende detyrat e shtëpisë
Deri sot është e diskutueshme nëse ka qenë marrëveshja me Turqinë, apo itinerari ballkanik “i mbyllur” ai që e solli rezultatin e dëshiruar. Njëra me siguri nuk qe e mundur të bëhej pa tjetrën: meqenëse itinerari ballkanik qe mbyllur disa javë më parë, Marrëveshja BE-Turqi bëri edhe më tepër atë efekt që dëshiroi BE. Vetëm në drejtim të kundërt nuk funksionoi: meqenëse presioni ndaj shteteve të BE ra, deri sot ato nuk kanë qenë në gjendje që të bien dakord për një mekanizëm shpërndarjeje, i cili t’u marrë një pjesë të barrës shteteve ku mbërrijnë refugjatët, Greqi dhe Itali dhe pa të cilën nuk mund të përfytyrohet një rivendosje në punë e sistemit evropian të azilit.
Që atëherë u shtrua pyetja: bëhet edhe pa këtë Marrëveshje? A duhet të bëhen Gjermania dhe BE të varur nga Rexhep Tayyip Erdogani? E vërteta e hidhur është se BE është i varur që të bashkëpunojë edhe me shtete fqinjë diktatoriale, po të dojë që ta mbajë në funksionim në formën e tanishme të drejtën e azilit. Sepse vlen parimi: kthime dhe sprapsje në kufijtë e jashtëm të BE janë vetëm atëherë të mundura, kur ekziston një marrëveshje përkatëse me fqinjin respektiv.
Kur nuk ekzistojnë marrëveshje të tilla, e drejta e azilit kërcënon të kthehet në një të drejtë për migrim – aq më tepër në kohët e presionit të madh migrator dhe aq më tepër në kohët e një kriminaliteti të organizuar në biznesin e bandave të trafikantëve. Dhe duket se këto kohë kanë ardhur në mënyrë të qëndrueshme.
Potencial presioni tek të dyja palët
Me marrëveshjen me Turqinë u përfshinë shumë gjëra, që nuk e kanë vendin në të. Pjesë përbërëse janë për shembull heqja e vizave dhe vazhdimi i negociatave të anëtarësimit me Turqinë. Të dyja ndërkohë kanë ngrirë. Disa gjëra ndërkohë nuk funksionojnë ashtu si është rënë dakord: kthimi i refugjatëve sirianë nga Greqia në Turqi nuk e ka arritur kurrë masën e synuar.
Efektin e dëshiruar marrëveshja e pati vetëm, sepse Turqia u kujdes që migrantët dhe refugjatët të mos arrijnë fare në Egje, për t’u trafikuar në Greqi. Të rëndësishme qenë për Turqinë edhe gjashtë miliardë eurot e BE për strehimin e refugjatëve në tokën turke. “Potenciali për shantazh” ekziston kështu tek të dyja palët. Ky përfundim është edhe në qendër të përpjekjeve për të lidhur marrëveshje përkatëse me shtetet afrikanoveriore. Edhe për to vlen: nuk ka rrugë tjetër