Turqia i ka hedhur poshtë si “qesharake dhe të pabaza” akuzat se zyrtarët e këtij vendi ndoshta kanë diskutuar për planin për ta zënë kleriun, Fethullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara, dhe për ta dorëzuar në Ankara, në këmbim për miliona dollarë.
Ambasada e Turqisë në Uashington në deklaratën e sotme, e ka përsëritur kërkesën e Turqisë që Shtetet e Bashkuara ta ekstradojnë Gulenin, por tha se Turqia nuk do të operojë në mënyrë jashtëligjore për ta arritur këtë qëllim.
Kjo deklaratë u bë pas raporteve në mediat amerikane se këshilltari special amerikan, Robert Mueller, është duke e hetuar komplotin sipas të cilit, ish-këshilltari për saiguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, dhe djali i tij, do t’i kishin marrë më tepër se 15 milionë dollarë, për ta zënë Gulenin dhe për t’ia dorëzuar atë qeverisë së Turqisë.
Një avokat që e përfaqëson zotin Flynn ka vlerësuar se këto akuza janë “fyese”.
Ankaraja e akuzon klerikun Gulen, i cili ka azil në Shtetet e Bashkuara, se e ka nxitur përpjekjen për puç kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në korrik të vitit 2016.