Turqia cakton çmim standard të maskave

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Duke filluar nga nesër, maskat mjekësore mund të shiten për 1 lirë turke, pasi më herët ishte ndaluar shitja e tyre dhe maskat shpërndaheshin falas.

Ministria e Tregtisë së Turqisë ka njoftuar se është kufizuar çmimi i maskave duke caktuar çmim standard prej 1 lirë turke (0.14 dollarë) për një maskë, ku është përfshirë edhe TVSH-ja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke filluar nga nesër, maskat mjekësore mund të shiten në tregje, farmaci, kompani që shesin pajisje mjekësore dhe përmes platformave të blerjes online.

“Qëllimi ynë është t’u sigurojmë qytetarëve tanë maska mjekësore në një mënyrë më të lehtë dhe të shpejtë me këtë rrjet të gjerë të shitjeve”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Turqia fillimisht ndaloi shitjen e maskave të fytyrës ndërsa të hënën lejoi shitjen me pakicë si pjesë e procesit të normalizimit.

Më 5 prill, Turqia filloi shpërndarjen e maskave falas për qytetarët për të frenuar përhapjen e COVID-19, si dhe u ndaloi njerëzve të hynin në dyqane dhe në tregje pa maskë mbrojtëse.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, Turqia deri më tani ka regjistruar 131.744 raste të koronavirusit, me 78.202 të shëruar dhe 3.584 raste të vdekjeve.

Turqia aktualisht është në mesin e 10 vendeve të para në botë që kanë kryer numrin më të madh të testeve të virusit, me numrin e përgjithshëm të testeve që tejkalon 1,23 milionë.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sëmundjen e ka shpallur një pandemi.

Sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, në mbarë botën janë konfirmuar mbi 3,76 milionë raste COVID-19, prej të cilëve mbi 264 mijë kanë vdekur dhe mbi 1,25 milion janë shëruar.

Të ngjashme