Turqia është e vendosur për të kaluar në lindje të Lumit Eufrat në veri në Sirisë, sa më parë që është e mundur, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu më 25 dhjetor, një ditë pasi Ankaraja ka dërguar trupa shtesë në kufi me Sirinë.
“Nëse Turqia ka thënë se do të hyjë në Siri, ashtu do të jetë”, ka thënë Cacvusoglu para gazetarëve.
“Ne planifikojmë të hyjmë në zonën e Lumit Eufrat sa më parë që është e mundur”.
Turqia ka thënë më herët gjatë këtij muaji se do të nisë një operacion të ri ushtarak në këtë zonë.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për tërheqje të trupave amerikane nga Siria, prandaj Turqia ka shtyrë fushatën derisa të përfundojë tërheqja e plotë e trupave të Shteteve të Bashkuara.
Trump ka thënë se tërheqja nga Siria do të jetë e ngadalshme dhe në koordinim me Turqinë, mirëpo nuk ka përmendur ndonjë afat të caktuar.
Turqia ka thënë se të dyja shtetet janë duke u koordinuar për të siguruar që të mos ketë “vakuum të autoritetit”, pas tërheqjes së trupave amerikane.
Më 24 dhjetor, mediat turke kanë raportuar se Ankaraja do të dërgojë trupa shtesë, duke përfshirë edhe ata me tanke, në kufi me Sirinë.
Gazeta turke, Hurriyet ka thënë se pozicionimi i trupave ka nisur që nga vikendi, meqë rreth 100 automjete kanë kaluar rajonin Al-Bab, që gjendet në veri të Sirisë.
Në po të njëjtën kohë, brenda Sirisë, përkatësisht në zonën Manbixh, të kontrolluar nga kurdët, janë pozicionuar edhe forcat opozitare turke të mbështetura nga Turqia.
Manbixh, rajon në veri të Sirisë, kontrollohet nga Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG), milici kurde, pjestarët e së cilës Ankaraja i konsideron “terroristë”.
Gjatë konferencës së mbajtur më 25 dhjetor, Cavusoglu ka thënë se Franca nuk do të arrijë asnjë sukses duke mbrojtur kurdët e YPG-së në Siri, pasi Parisi ka njoftuar se do të vazhdojë të ketë prezencë në Siri pavarësisht vendimit amerikan.
“Nëse Franca do të qëndrojë për të kontribuuar në të ardhmen e Sirisë, do të jetë shumë mirë, mirëpo nëse do të jetë aty për ta mbrojtur milicinë, kjo nuk do të ketë aspak përfitim”, ka thënë ai.